20:07 / E Martë, 09 Gusht 2022 / OSH

Tahiri e demanton Kurtin: Miratimi i Rregullores së Kuvendit meritë e Grupit Punues

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij kryeministri Kurti po bën përpjekje për t’i përvetësuar meritat për këtë.

Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është meritë e drejtëpërdrejtë e punës më shumë se një vjeçare e Grupit Punues.

“Miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është meritë e drejtëpërdrejtë e Grupit Punues që ka punuar më shumë se një vit, e i cili përbëhej me shumicë nga partitë opozitare, ekspertë të NDI-së dhe organizatave tjera të shoqërisë civile”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se është pikërisht kryeministri Kurti, i cili e ka penguar dhe bllokuar miratimin e kësaj rregullore.

“Statusi i kryeministrit Kurti tregon dy elemente shumë të rrezikshme: e para, tendenca për të marrë merita që nuk i takojnë, për shkak se, në qoftë se ka një njëri që e ka bllokuar miratimin e kësaj rregullore, ka qenë vet z. Kurti gjatë dhjetë viteve, i cili nuk ka dashur të mbështesë shumicën për të kaluar këtë rregullore. E dyta, ai e merr rolin e Kryetarit të Kuvendit, i cili duke dashur ta ruajë konsensusin që e kemi pasur në grup punues, nuk ka publikuar dhe nuk ka marrë merita”, është shprehur ai.

Tahiri ka thënë se nuk e di çka është duke menduar kryeministri Kurti, i cili, sipas tij, njëherë shpallë gjendje lufte e në të njëjtën kohë bën përpjekje me i marrë meritat që nuk janë të tij.

“Nuk e di çka po mendon Kryeministri, njëherë duke shpallë gjendje lufte, e tash duke u munduar të marrë merita që nuk i takojnë dhe që nuk janë të tij”, ka përfunduar Tahiri.

Deri më tani Kuvendi i Kosovës ka organizuar punën e tij me Rregulloren e miratuar me 29 prill të vitit 2010.

Ky dokument përcakton organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organeve, të trupave të punës së tij, të drejtat dhe detyrat e deputetëve.