21:13 / E Diele, 04 Mars 2018 / indeksADMonline

Tahiri flet për letrën e të burgosurve të Dubravës, sqaron çfarë po ndodhë ushqimin dhe ilaçet

Përmes një letre të hapur, 24 të burgosur të burgut të Dubravës gjatë ditës së sotme kanë deklaruar se kanë mungesë të ushqimit, barnave, shërbimit mjekësor dhe trajtim jo të duhur.

Madje përmes një letre ata kanë thënë se në burg mungojnë gjërat elementare të ushqimit, ku kanë cekur ndër të tjerash edhe  mungesën e barnave.

Të burgosurit në burgun e Dubravës u kanë bërë ftesë organizatave qeveritare dhe atyre joqeveritare që të merren seriozisht me këtë qendër. Ndërsa, një ftesë kanë pasur edhe për kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe Ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri.

Lidhur me këtë letër, Indeksonline ka kontaktuar Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ka deklaruar se çdo kush mund të hamendësojë me të drejtë se jeta në një qendër korrektuese nuk është as për së afërmi e ngjashme me jetën në kushtet e lirisë por që Ministria e Drejtësisë është duke u kushtuar një vëmendje të veçantë të gjithë të burgosurve, për kërkesat e tyre.

“Në radhë të parë dëshiroj të konfirmoj se Shërbimi Korrektues i Kosovës me të gjitha komponentët përbërëse të tij, është në mesin e gjashtë objektivave të mia themelore si Ministër i Drejtësisë, dhe përkushtimi për ta fuqizuar dhe modernizuar edhe më tej funksionimin e mirëfilltë të këtij shërbimi. Besoj se tashmë është vërejtur jo vetëm nga drejtuesit e qendrave korrektuese por edhe nga vetë personat qe janë në vuajtje të dënimit. Ju e dini se brenda këtyre muajve në krye të ministrisë së drejtësisë, kam vizituar qendrat korrektuese në vazhdimësi, ku kam biseduar nga afër me një pjesë të konsiderueshme të personave në vuajtje të dënimit, për të njohur më për së afërmi me natyrën e problemeve dhe sfidave me të cilat ata ballafaqohen”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, burgjet në përgjithësi paraqesin një ambient ku bashkëveprojnë parimet e të drejtave në njërën anë dhe ato të rendit dhe sigurisë në anën tjetër, e që si i tillë, nuk është ambient i lehtë për tu administruar.

“Çdo kush mund të hamendësojë me të drejtë se jeta në një qendër korrektuese nuk është as për së afërmi e ngjashme me jetën në kushte të lirisë. Megjithatë, përkundër çdo sfide që mund të haset, unë jam tejet i vendosur që trajtimi i personave në vuajtje të dënimit të jetë trajtim i dinjitetshëm. Sa i përket letrës së personave në vuajte të dënimit nga Qendra Korrektuese e Dubravës, dua të theksoj se unë pothuajse çdo ditë pranoj letra nga të burgosurit, të cilave iu kushtoj vëmendje, ndërsa një të tillë që adreson probleme të natyrës çfarë janë cekur aty, që për temë ka aspektet që ndërlidhen me standardet e të ushqyerit dhe furnizimit me barna, është hera e parë që hasë”,ka shtuar ministri Tahiri.

Ministri Tahiri gjithashtu ka thënë se një person në vuajtje të dënimit për një periudhë 24 orëshe, Kosovës i kushton 27 euro.

“Në përgjigjje të kërkesave të tyre, më duhet të theksoj se një person në vuajte të dënimit për një periudhë 24 orëshe, i kushton Republikës së Kosovës afërsisht 27 Euro. Sa i përket furnizimit me pemë dhe perime, furnizimi i tyre me këto të mira konsumi për një periudhë është reduktuar për shkak të mungesës së obligimeve kontraktuare mes SHKK-së dhe operatorëve ekonomik. Megjithatë, jam informuar nga Shërbimi Korrektues se kjo çështje tashmë është rregulluar dhe furnizimi do fillojë që nga kjo e hënë.

Ndërsa në raport me listën e barnave të listës esenciale, kjo është një obligim i Ministrisë së Shëndetësisë e cila për asnjë moment nuk është duke anashkaluar obligimet ndaj SHKK-së, dhe se furnizimi me këto barna ndodhë ngjashëm si për çdo qytetar të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Ndër të tjerash Tahiri ka thënë se përkundër faktit se shërbimet në Qendrat Korrektuese të Kosovës janë duke marrë një vëmendje më të madhe kujdesi, prapë se prapë përkushtimi i tij në raport me trajtimin adekuat të personave në vuajtje të dënimit nuk do të rresht dhe çdo pakënaqësi racionale do ketë edhe përgjigjjen e duhur.

Duhet përkujtuar që të burgosurit në Dubravë kohë më parë kishin mbajtur edhe një grevë disa ditore ku si kërkesë kishin kthimin e ditëve të pushimit (vikendeve) të cilat ishin zvogëluar dhe duke kërkuar kthimin e mundësisë së marrjes së pakove ushqimore nga jashtë.

Përkundër kërkesës së tyre duhet përkujtuar se mundësia e futjes së gjërave të jashtëligjshme në qendrat e burgjeve në Kosovë ishte shtuar dhe ishte bërë më e lehtë në kohën kur pakot ushqimore me gjësende nga më të ndryshmet merreshin nga jashtë.

Në të shumtën e rasteve ka pasur edhe persona të arrestuar të cilët mundoheshin që në qendrat e burgjeve të fusnin narkotikë apo diçka të tillë. Ndryshe çështja e ngritur nga të burgosurit mbetet të gjejë zgjidhje, përderisa pritet që shpejtë të bëhet e ditur edhe nëse të burgosurve do t’u kthehen ditët e vikendit, të cilat ishin shkurtuar në bazë të ndryshimit të ligjit./Indeksonline/

Të burgosurit në Dubravë: S’kemi ushqim e ilaçe, të hetohen keqpërdoruesit e buxhetit