22:40 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Lista Serbe vetëm politikisht ka dalë nga qeveria

Pas arrestimit të Shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga policia kosovare, Lista Serbe mori vendim që të dalë nga “Qeveria Haradinaj”.

Por, vendimi i tyre siç duket nuk figuron askund, pasi në pozitat e tyre ministrore ende figurojnë emrat e tyre.

Analisti Ramush Tahiri në një prononcim për Indeksonline ka thënë se për dalje nga këto pozita duhet shkruar Qeverisë një letër zyrtare.

“Ligji është i qartë për ardhjen dhe mos ardhjen në punë. Unë nuk kam parë ndonjë letër me shkrim që e kanë dërgu tek kryeministri që i lirojnë pozitat e qeverisë. Ata nuk kanë dërgu listë me emra ku thuhet se prej kësaj date dalin prej qeverisë dhe nuk i kryejnë më obligimet. Është e paraparë si procedurë që të bëhet kjo dhe prej asaj ditë udhëheqin zëvendësministrat. Mirëpo ata herë po shkojnë në mbledhje herë jo, nuk po i japin votat”, tha Tahiri.

Ai po ashtu tha se ministrat serbë duhen shkarkuar për mos shkuarje në punë dhe se ata kanë dalë nga Qeveria vetëm politikisht, por jo edhe ligjërisht.

“Ata duhet të shkarkohen nga pozita për shkak se nuk po shkojnë në punë. Kryeministri nuk i ka liru nga detyra, nga mandati dhe ata politikisht kanë thënë se po dalin por jo secili ministër veç e veç, por ka thënë Lista Serbe në emër të tyre”, përfundoi Tahiri./Indeksonline/