10:32 / E Enjte, 22 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Të gjitha reagimet ndaj vendosjes së taksës prej 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës

Pasditen e së mërkurës, Indeksonline raportoi ekskluzivisht për vendimin unanim të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Padyshim se vendimi në fjalë gjeti përkrahjen e menjëhershme të qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk hezituan të tregonin entuziazmin e këtij vendimi.

Por jo vetëm kaq. Të shumta ishin edhe reagimet e liderëve kosovarë, atyre të Serbisë dhe përfaqësuese ndërkombëtarë.

I pari që reagoi lidhur me këtë vendim është pikërisht Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Lluka dha lajmin direkt nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës përmes një statusi në Facebook ku tha se masa do të vazhdojë të ashpërsohet deri në vendosjen e bilancit të drejt në raportet Kosovë-Serbi.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se vendosja e taksës 100% për produktet serbe hy në fuqi menjëherë.

Haradinaj deklaroi se marrja e këtij vendimi ishte veprim i zorit, por që sipas tij Serbia e ka bllokuar Kosovën.

“Ne e kemi bërë një analizë të  marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia. Malli i Kosovës ka pas vështirësi me hy në Serbi, çdo produkt që ka hy është analizuar, e ka penguar transportin. E ka penguar ani pse ne jemi ankuar disa herë. Kjo është një masë legjitime që e ka marrë Kosova, e kemi paralajmëruar se kjo mund të rritet”, tha ai.

Shpejtë reaguan edhe serbët në Kosovë, të cilët padyshim kundërshtuan vendosjen e taksës. I ashpër ka qenë reagimi kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Rakiq e cilësoi vendimin si ‘çmenduri’, duke theksuar se është një njoftim jozyrtar i luftës.

“Kjo është çmenduri nëse nuk ndërprehet. Populli serb nuk do të mund të mbijetojë në Kosovë edhe për shumë gjatë. Kërkojmë reagim të menjëhershëm, dhe ndihmë nga Beogradi. Do të gjejmë mënyra për t’i rezistuar kësaj dhune, sepse kjo është një luftë. Shpresojmë në mirëkuptim dhe përkrahje nga Serbia”, deklaroi Rakiq.

Tutje lidhur me këtë vendim, nuk mbeti pa reaguar edhe deputeti kosovar, njëherësh një prej afaristëve më të mëdhenj në vend , Ramiz Kelmendi. Deputeti i LDK-së, tha se mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën duke thënë se është tjetër ajo çfarë mendon si deputet dhe tjetër ajo çfarë mendon si afarist në këtë pikë.

Kurse Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Serbi , Rasim Lajiq, tha se ky vendim është politik dhe do të ketë pasoja të mëdha negative. Sipas Lajiq vendimi u morr për shkak të zhvillimeve të fundit në INTERPOL.

E deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza-Kusari Lila vendimin për vendosjen e taksës për mallrat serbe dhe të Bosnje Hercegovinës e pa si të qëlluar duke thënë se ky vendim duhet të kushtëzohet me kërkesa të qarta ndaj shteti serb.

Për vendimin në fjalë u deklarua edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në vend, Endrit Shala. Shala tha se prej sot obligohen të gjithë inspektorët dhe agjencitë e tjera kompetente të largojnë nga tregu secilin produkt që në deklaracion emërtimi zyrtar i Republikës së Kosovës është zëvendësuar me emra si ‘Kosova i Metohija’.

Tutje Shala ka ftuar qytetarë që t’i bashkohen kësaj kauze duke kërkuar nga prodhuesit të fokusohen në cilësi dhe rritje të standardit. Sipas Shalës vendimi për taksë nuk është kundër tregtarëve.

Lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksën ka reaguar edhe zv/kryeministri serb në Kosovë, Igor Simiq. Simiq ka thënë se ky veprim ka për qëllim pengimin e jetesës në Kosovë, sidomos të serbëve.

E pas vendimit, Ministri i Tregtisë në Bosnje, Mirko Saroviq tha se për një vendim të tillë nuk janë njoftuar ende zyrtarisht por që sipas tij ky vendim rrënon marrëveshjen e CEFTA-s.

Zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli deklaroi se vendimi për taksën është në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar shtet të dinjitetshëm, duke uruar që kjo masë të mos ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve elementare në Kosovë.

Pas vendosjes së kësaj takse, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar duke thirrur takim me ambasadorët e Rusisë, Kinës, BE-së, Amerikës dhe të vendeve të Kuintit. Por jo vetëm kaq. Vuçiq mblodhi edhe Këshillin e Sigurisë dhe thirri konferencë për media në mesnatë.

Gati nën lot, Vuçiq deklaroi se kërkon nga Kosova që të largojë taksën.

“Porosia ime ndaj shqiptarëve është: Ju lutem o njerëz sikur Zotit, kthjelluni dhe kuptojeni që neve na duhet paqe, kuptojeni që nuk na duhet eskalimi i situatës, as popullatës serbe e as asaj shqiptare. Ju lutem, ju lutem largojeni këto (taksa ) dhe të ulemi e të bisedojmë që të gjejmë një kompromis. Sikurse ne që ju respektojmë juve shqiptarëve, duhet edhe ju të na respektoni neve serbëve. Sikurse ne që ne e kuptojmë faktin që ju Kosovën e shihni si shtet të pavarur – gjë që ne jemi kundër, kuptojeni faktin që ne nuk e shohim Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa ne ju kuptojmë juve”, tha ndër të tjerash Vuçiq.

E për vendimin e qeverisë, ashpër ka reaguar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Ajo kërkoi që taksa të tërhiqet menjëherë, duke thënë se ky vendim është shkelje e Marrëveshjes se Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe të Marrëveshje së Stabilizim Associmit.

Përpos Vuçiq, nga pala serbe kanë reaguar edhe Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Drejtori i të Ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq. Dyshja kërkuan që  të tërhiqet taksa pasi sipas tyre situata është mjaft e vështirë.

Ndërkohë deputeti i Kosovës, Ilir Deda ‘goditi’ ashpër Mogherinin, duke thënë se pavarësisht se kërkuan reagimin e saj për pesë muaj me radhë për veprimet e Serbisë, ajo zgjodhi që të heshtë. Sipas tij, ajo tashmë ka humbur kredibilitetin.

Ndërsa Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj ka thënë shkurtë se në rast se tërhiqet taksa e vendosur ndaj Serbisë, Qeveria Haradinaj nuk ka arsye të ekzistojë.

Përpos Lekajt, Ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa reagoi duke thënë se ka urdhëruar menjëherë organet e rendit për zbatim rigoroz të vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën.

Zv/kryeministri, Fatmir Limaj ka reaguar më vonë duke thënë se nuk kanë pritur reagim tjetër nga BE-ja, por ka thënë se sjellja që Serbia ia ka bërë Kosovës nuk mund të durohet nga vetë Kosova.

Ndër reagimet më të ashpra ndaj BE-së dhe Serbisë  u bë pikërisht nga ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Bosch deklaroi se BE nuk reagon asnjëherë ndaj Serbisë, edhe kur ata shkelin marrëveshjet dhe se sipas tij pikërisht BE po e bën normalizimin e marrëdhënieve një proces për tallje.

Ngjashëm me Mogherinin, ka reaguar edhe komisioneri evropian, Johannes Hahn. Hahn ka kërkuar largimin e menjëhershëm të taksës, duke thënë se uron që kjo taksë të largohet para nisjes së javës së CEFTA-s, në Prishtinë, e cila mbahet së shpejti.

Në orët e fundit të mbrëmjes së kaluar reagoi edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Ajo tha se kjo normë e vendosur nga Qeveria e Kosovës është për të ardhur keq, duke shtuar se duhet të bisedojnë me partnerët ndërkombëtarë për të kuptuar se a mund të llogarisin vërtetë në mbështetjen e tyre.

Vendosja e taksës 100% për produktet serbe dhe ato të Bosnje Hercegovinës u bë disa ditë pasi Qeveria e Kosovës e kishte bërë atë 10%./Indeksonline/