10:26 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

Tenori Ramë Lahaj dekorohet me Medaljen e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me medalje presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka dekoruar sot tenorin e njohur kosovar, Ramë Lahaj.

“Ai, përmes artit muzikor po shkëlqen kudo në skenat botërore dhe po e afirmon denjësisht emrin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidentit në llogarinë e tij Facebook.

Ndryshe me datë 8 maj, tenori me ftesë nga Ambasadorja Apostolova do të mbajë koncert në Prishtinë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Kosovë.
Lahaj nuk ka koncertuar asnjëherë në Kosovë prej kohës kur nisi të merrte famë. Koncerti do të jetë i hapur për të gjithë por biletat duhet siguruar paraprakisht.

Lahaj ishte njëri ndër fituesit e çmimit OPERALIA ndërsa së fundmi ka koncertuar bashkë me Placido Domingon. Ai është ndër tenorët më të mirë të gjeneratës së tij dhe premton shumë në botën e muzikës klasike./Indeksonline/