18:01 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Thaçi bën thirrje që mos të koritemi nesër para delegacionit evropian

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka theksuar se nesër është ditë e veçantë për vendin.

Përpos vizitës së parë nga presidenti i Komisionit Evropian,Jean Claude Juncker, me delegacion të nivelit më të lartë,  Thaçi ka thënë se pritet edhe votimi i demarkacionit.Sipas tij, ata presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës.

Thaçi ka ftuar gjithë spektrin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që në seancën e nesërme, pa dallim etnie të votojnë me unanimitet demarkacionin me Malin e Zi, transmeton Indeksonline.

Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë imediate për lëvizje të lirë, si të gjithë evropianë et jera dhe se askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen e vendit.

Ky është postimi i plotë:

Nesër është ditë e veçantë, por edhe tepër domethënëse për të ardhmen tonë evropiane. Për herë të parë, shtetin tonë e viziton presidenti i Komisionit Evropian, Junker, me delegacion të nivelit më të lartë. Ata nga ne presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës.

Edhe një herë, si president i vendit, ftoj gjithë spektrin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që në seancën e nesërme, pa dallim etnie, të votohet me unanimitet demarkacioni me Malin e Zi. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë imediate për lëvizje të lirë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen evropiane të vendit. As ata që pretendojnë me vu kushte të reja për votim dhe as ata që një anë shprehin vullnetin e mirë për votimin e marrëveshjes, mirëpo kërkojnë shtyrjen e votimit.

Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim. Prandaj, besoj në përgjegjësinë e deputetëve se nesër do të mendojnë dhe votojnë në shërbim të qytetarëve, e asnjë prej tyre të futet në agjenda jo-evropiane. Shtyrja eventuale apo mos votimi pro ratifikimit nesër, nënkupton konfirmim të izolimit të qytetarëve të Kosovës nga të zgjedhurit e saj, në ditën më të rëndësishme të vizitës nga Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker. HTH