20:27 / E Mërkurë, 15 Maj 2019 / indeksADMonline

Thaçi: Disa diplomatë po lobojnë për ta hequr taksën në këmbim të vizave

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se bredhja ‘turistike’ e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës e nga zyra në zyrë duke lobuar për heqjen e taksës në këmbim të liberalizimit është fyerja e radhës ndaj institucioneve  dhe qytetarëve të Kosovës.

Thaçi tha gjithashtu se kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese  nuk është asgjë tjetër përveç opsion me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës, transmeton Indeksonline.

Presidenti Thaçi shtoi se këto projekte janë të turpshëm dhe sot e gjithmonë, Kosova është një dhe e pandashme.

Postimi i plotë:

Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.

Këto projekte janë të turpshme dhe si të tilla plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme. HTH