10:44 / E Premte, 31 Gusht 2018 / indeksADMonline

Thaçi i kundërpërgjigjet ashpër Haradinajt: Ideja për tragjedi të reja në Ballkan të hidhet në shportë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në mënyrë indirekte i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili para pak çastesh tha se ridizajnimi i kufijve do të thotë thirrje për luftë dhe tragjedi në Ballkan.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se individë të caktuar po tentojnë që me veprimet e tyre të shkaktojnë panik dhe konfuzion, transmeton Indeksonline.

“Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa, Haradinaj në postimin e tij shkroi se diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. /Indeksonline/