75 Mall Live Search
18:47 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Thaçi kërkon nga Haradinaj të deklarohet nëse e ka shumicën!

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, Lista Serbe ka deklaruar se tani e tutje do të jetë opozitë dhe do të mbështesë çdo përpjekje për rrëzimin e Qeverisë. Por, kryeministri Ramush Haradinaj i cili po qëndron prapa vendimit të ekzekutivit, konsideron se çështja me taksën nuk mund të rrëzojë. Ndërkohë që, sipas presidentit të vendit, Qeveria e vazhdon punën vetëm nëse dëshmon se e ka shumicën. Partitë opozitare deklarojnë se nuk përkrahin Listën Serbe me kërkesën që ka, por Qeveria mund të bie, sipas tyre, nëse ista Serbe nënshkruan në favor të opozitës.

Vendosja e taksë prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës ishte përgjigje e shtetit të Kosovës ndaj Serbisë për fushata që kjo e fundit po i zhvillon kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet e botës.

Këtë vendim e mori kabineti qeveritar i drejtuar nga Ramush Haradinaj, por që i njëjti ngjalli shumë reagime nga Serbia dhe Bashkimi Evropian, të cilët kërkuan kthim prapa të këtij vendimi. I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe, parti kjo e komunitetit serb në Kosovë që është pjesë e Qeverisë, e cila deklaroi se do të kalojë në opozitë e të njëjtën kohë do të përkrahin çdo përpjekje për rrëzimin e qeverisë.

E në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se qëndrimi i tyre nuk ka të bëjë me atë të Listës Serbe.

Xhelal Sfeçla thotë se nuk bëjnë pazare me Listën Serbe, po që sipas tij, nëse ata japin nënshkrimin e tyre për rrëzimin e qeverisë “është diçka tjetër”.

Por, kryeministri Haradinaj deklaron se nuk ka ndonjë shqetësim për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Për deklarimet e Listës Serbe ka folur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Ai ka thënë se nuk pranojnë asnjë shantazh nga Lista Serbe. Por, sipas presidentit të vendit, Hashim Thaçi, vendimi i Listës Serbe ka vënë në turbulencë funksionimin e Qeverisë, dhe siç ka deklaruar Thaçi, ekzekutivi duhet të konfirmojë zyrtarisht se a ka shumicën apo jo.

Lista Serbe ka kërkuar tërheqje të menjëhershme të vendimit të Qeverisë, për masën prej 10 për qind për mallrat e Serbisë, pasi sipas tyre, kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë duke i rritur çmimet e ushqimeve bazë.

Kujtojmë se më 10 shtator të 2017’ës, në punimet e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, u votua qeveria Haradinaj, me 61 vota për dhe 1 abstenim. Votimi ishte bërë vetëm pasi në sallë kishin arritur deputetët e Listës Serbe.