13:45 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Thaçi kërkon nga Tusk mbështetje për liberalizim sa më të shpejt të vizave  

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, gjatë një konference për media, ka thënë se gjatë këtij takimi ata kanë biseduar për tema të ndryshme, të cilat janë të rëndësishme për Kosovën, e po ashtu për gjithë rajonin e Ballkanit.

Sipas tij, këtu është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se ka kërkuar nga Tusk mbështetje që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë sa më shpejt pa viza, transmeton Indeksonline.

Ky është fjalimi i tij:

“E falënderoj presidentin për vizitën e sotme në Kosovë dhe rajon. Është një kënaqësi e veçantë të kemi sot këtu një mik të vendit tonë, të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Me presidentin Tusk patëm një takim miqësor dhe diskutuam për anëtarësimin e Kosovës në BE. Në këtë aspekt kemi shpalosur projektet tona për rrugëtimin tonë drejt këtij institucioni por gjithashtu edhe tregova rolin tonë konstruktiv për fqinjësi të mirë.

Be dhe rajoni duke përfshirë edhe Kosovën nuk ka qenë kurë më afër njëri-tjetrit se sot, mirëpo mendoj se të dy palët, BE dhe Shtetet e Ballkanit e kanë kuptuar se bashkërisht mund të bëjnë që të përshpejtohet anëtarësimi në BE i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në çdo rrethanë e konsiderojë se më datën 15 maj, në Samitin e Sofjes të gjitha shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit do të kenë mundësi që përballë njëri-tjetrit të reflektojnë për arritjet e përbashkëta dhe për sfidat e procesit.

Gjithsesi presim që do të ketë një reflektim të të gjithëve. Kosova ka nevojë urgjente për të përshpejtuar procedurat për anëtarësim në BE. Dhe presim që në një periudhë sa më të shkurtër të marrim statusin kandidat për BE.

Duke falënderuar presidentin Tusk për trajtim të drejt të Kosovës në Sofje, unë gjithashtu do të bëj të qartë se këtë Samit e kuptojmë si mundësi dhe një moment shumë të rëndësishme për Kosovën. Ne do të japim kontributin tonë të plotë në agjendën e këtij Samiti.

Do të adresojmë edhe sfida të përbashkëta të sigurisë, si kontrabanda, terrorizmi dhe lufta kundër korrupsionit.

Ky përkushtim nënkupton lëvizjen drejt një marrëveshje përfundimtare që do të mundësoj njohje reciproke edhe për Kosovën edhe për Serbinë

Kosova mbetet  përkushtuar të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe që të normalizohen marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve, si një nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutojë edhe më 9 maj, kur edhe do takohem me kancelaren e Gjermani, Angela Merkel, për ditën e Evropës.

Diskutuam edhe për çështjen më urgjente për liberalizimin e vizave. E njoftova me punën që kemi bërë tani për kriteret dhe kërkova mbështetjen për procesin vendimmarrës./Indeksonline/