09:12 / E Hënë, 02 Korrik 2018 / indeksADMonline

Thaçi kujton kontributin e Bajrush Behramit

Presidenti Hashim Thaçi e ka vlerësuar humbje për brezin politik, vdekjen e Bajrush Behramit, njëri nga organizatorët kryesorë të protestave të vitit 1981.

Thaçi ka thënë se Behrami ka thënë kontribut të çmuar për ndërtimin e jetës institucionale pas luftës.“Vdekja e veprimtarit të shquar Bajrush Behrami është humbje e madhe për familjen miqtë dhe gjithë brezin e tij politik, me të cilin punoi dekada të tëra. Bajrushi ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik për vite të tëra dhe mbështetës i pa kompromis i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Presidenti Thaçi.

“Bajrush Behrami dha kontribut të çmuar edhe në ndërtimin e jetës institucionale pas luftës. Ai u shqua për talent në artin vizatimit dhe pikturës, duke lënë prapa vetes një trashëgimi artistike, që shprehte shpirtin e tij artistik dhe bindjet atdhetare. I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij”, ka përfunduar ai. Bajrush Behrami ndërroi jetë dje në moshën 62-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër. Ai ishte edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetar i Partisë Unitetit Kombëtar ‘UNIKOMBI’.