18:44 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Ministrat e kanë kuptu se kur të është Presidenti… (Video)

Gjatë ditës së sotme, Presidenti Hashim Thaçi bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri kanë shkuar sot në vizitë tek familja Maloku në Plloqicë të Malishevës, për të ngushëlluar ata rreth vrasjes së dyfishtë që ndodhi në këtë familje në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Ndër të tjerash, Thaçi ia dha fjalën Naim Maloku teksa ngushëlloi familjarët duke shtuar se bashkëndjejnë me ta

“Ngjarja e fundit që ndodhi e kemi marrë me keqardhje shumë të madhe, me dhimbje shumë të madhe dhe e ndajmë me ju si familje dhe si farefis. Ngushëllime më të sinqerta”, ka thënë Thaçi.

Pas kësaj, Maloku dhe Thaçi filluan të flasin pak edhe me humor.

Maloku që mbante rendin sot në të pame, iu drejtua Thaçit dhe delegacionit të tij duke thënë se mund ta marrin fjalën cilido prej tyre.

“Mundesh m’i përcjellë fjalën. Paske këtu edhe ministrin e Drejtësisë, edhe këshilltarin e ki afër aty, urdhoni”, u tha Maloku.

Më pas këta të fundit filluan të shikoheshin mes njëri-tjetrit, duke mos ditur cili të marrë fjalën.

Hoxha që qëndronte afër presidentit Thaçi, propozoj që të merrte fjalën Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahir, ndonëse i takonte të fliste diçka, pasi edhe rasti lidhej me institucionin që ai udhëheqë.

“Ministrat e kanë kuptu se kur të është Presidenti…”, ka thënë Thaçi duke qeshur më pas dhe duke i bërë me dije Tahirit që të marrë fjalën.

Pas tij, ministri Tahiri ka deklaruar se nuk është lehtë të flitet pas Presidentit duke shtuar se institucionet po punojnë maksimalisht që kryesit e vrasjes së dyfishtë të dalin para drejtësisë.

“Ai mëngjesi i ditës së premte ka qenë shumë i rëndë, me ka marrë në telefon presidenti dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet të cilat janë duke e bërë maksimumin që këta njerëz që e kanë kryer këtë vepër kaq të rëndë të dalin para drejtësisë. Është vepër shumë e rëndë.”, ka thënë ministri Tahiri./Indeksonline/