Thaçi: Nëse Gjuriqi kaq shumë do të vijë në Kosovë, ia japim shtetësinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar sërish arrestimin e shefit të të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Teksa ka thënë se Kosova ka zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e saj, ai ka thënë se nëse Gjuriq është shumë i interesuar të vijë në Kosovë, atëherë mund edhe t`ia japin shtetësinë.
Këtë, sigurisht se Thaçi e tha me sarkazëm, marrë parasysh se një ankesë nga shteti serb për arresimin e Gjuriqit i ishte dorëzuar edhe kancelares Angela Merkel.
“Nëse ai është aq i interesuar për Kosovë, ia japim edhe shtetësinë e Kosovës. Ne jemi vend i pavarur, ne po shohim si po sillet Serbia me qytetarët e Kosovës. E respektoj interesimin legjitim për qytetarët e Kosovës, por shteti serb është interesuar për territorin e Kosovës. Ne po punojmë për serbët e Kosovës, prandaj dallimi i ynë me Serbinë qëndron se ne punojmë për të ardhme të qytetarëve pa dallim etnik, ndërsa Serbia pretendon të provokojë tensione në veçanti në veri”, ka thënë Thaçi në një intervistë në KlanKosova, transmeton Indeksonline.
Ai, po ashtu ka thënë se Gjuriq ka ardhur në Kosovë pas atij incidenti. Por, siç ka shtuar Thaçi, institucionet kosovare nuk do të lejojnë askë që të fyejnë dhe cenojnë Kosovën.
“Ne jemi liderë të Ballkanit Perëndimor dhe mbi supet tona bartim të kaluarën e problemeve të shumta dhe nuk mund të largohemi nga logjika e ankesave të vazhdueshme që të ndërtojmë prioritete për të ardhmen. E di se ka qenë një ankesë e gjatë edhe tek Merkel sa i përket Gjuriqit, është ngritur në një periudhë të shkurtër, por Kosova është shtet sovran, ka procedurat dhe Kushtetutën e vet. Ajo ngjarje është provokuar nga Serbia që të cenohet rendi ligjor në veri të Kosovës, e ka marrë përgjigjen e merituar nga institucionet e vendit, Gjuriq ka ardhur në Kosovë pas atij incidenti. Por, kushdo që i refuzohet leja për t`u futur në Kosovë, Kosova nuk do të lejojë që të cenohet e as të fyhet nga askush”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.
Të gjitha këto komente presidenti i bëri duke sqaruar takimin e tij me kacelaren Merkel para disa ditësh në Berlin./Indeksonline/