15:45 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Nga protesta e 11 marsit 1981, nuk rreshti asnjëherë rezistenca për lirinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka përkujtuar 37 vjetorin e demonstratës së parë të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Thaçi ka thënë se që nga ajo kohë e deri më 1999 nuk rreshti asnjëherë rezistenca për liri dhe pavarësi të Kosovës, me forma nga më të ndryshmet, transmeton Indeksonline.

“Më 11 Mars 1981 filloi demonstrata e parë e studentëve të Universitetit të Prishtinës, për t’u pasuar me protesta dhe demonstrata popullore anembanë Kosovës me kërkesën themelore për avansimin statusit politik të Kosovës në nivel të Republikës. Prej vitit 1981 deri më 1999 nuk rreshti asnjëherë rezistenca për liri dhe pavarësi të Kosovës, me forma nga më të ndryshmet, prej asaj paqësore deri tek ajo e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Demonstratat e vitit 1981 janë një ndër faqet më të ndritura të historisë së re të Kosovës. HTH”, ka shkruar Thaçi./Indeksonline/