19:28 / E Martë, 16 Prill 2019 / indeksADMonline

Thaçi për Independent: Duam kufij të hapur brenda BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen britanike “The Independent”, ka folur për situatën politike në Kosovë dhe rajon, për perspektiven evropiane dhe tema të tjera.

Thaçi ka thënë se Kosova dëshiron ta shoh Britaninë e Madhe brenda Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian nuk do të jetë i njëjtë pa Britaninë e Madhe”, ka thënë ai.

Sipas Thaçit, ne nuk mund të vazhdojmë të pretendojmë se asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk po ndodhë, sepse kjo është një gjë shumë e madhe. “Pa Britaninë, Bashkimi Evropian do të humbasë shumë substancë. Nuk është një situatë e mirë, për BE-në apo për ne në Kosovë”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se e ardhmja e Kosovës pa dyshim se është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Si Kosovë ne do t’i bëjmë të gjitha detyrat tona, të meritojmë të jemi anëtar të NATO-s dhe anëtar të BE-së. Ne duam që përfundimisht të shohim kufijtë e hapur brenda BE, me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kudo në rajon. Lidhur me NATO-n, mendoj se po flasim për një kornizë kohore prej 5 deri në 10 vjet ose ndoshta edhe më pak, për t’u bashkuar”, ka thënë Thaçi.