Thaçi tregon se a do të kandidojë për president edhe për një mandat
Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mund të kandidojë edhe për një mandate për President të Kosovës, në qoftë se bëhet reforma zgjedhore, në mënyrë që presidenti të zgjidhet me votë të qytetarëve dhe jo përmes Kuvendit të Kosovës.
“Nëse ndodh reforma, mundësia është që të konkurroj. Edhe gara do të jetë më interesante, do të ishte demokraci e shëndoshë për institucionin e Presidentit”, tha Thaçi në Klan Kosova.
Ai tha se Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore.
“Vazhdoj të besoj se Kosovës i duhet reforma elektorale. Edhe për zgjedhje presidenciale, edhe për zgjedhje nacionale dhe lokale. Dua të besoj se reforma elektorale do zbatohet që nga janari. Do të ishte demokraci e drejtpërdrejt, më e zgjeruar”, tha ai.