21:35 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi tregon si e detyruan dhe mashtruan ndërkombëtarët për Gjykatën Speciale

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se e kanë detyruar ndërkombëtarët që të themelohet Gjykata Speciale.

Thaçi, i cili kishte bërë të pamundurën që Gjykata Speciale të mandatohet në Kuvendin e Kosovës, tash është bërë kundërshtari kryesor i saj.

Sipas tij, ndërkombëtarët ishin zotuar se me aprovimin e kësaj gjykate, Kosova do të përfitonte themelimin e Ushtrisë, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës.

Por thotë se asgjë prej këtyre gjërave nuk ndodhi.

“Realisht atë që e kam menduar në vitin 2015, e mendoj edhe sot. Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj Kosovës, edhe ndaj UÇK-së. Ndërkombëtarët na kanë detyruar, me kërcënimin se do të marrin masa tjera drastike në raport me vendin. Dua ta potencoj diçka: nuk ka gjykatë që e lëndon luftën time për Kosovën. Ka qenë detyrimi ndërkombëtar, dhe e dyta zotimi i ndërkombëtarëve se Kosova lëviz drejt ushtrisë, drejt liberalizimit të vizave, anëtarësimi në UNESCO, INTERPOL dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Asnjëri zotim i ndërkombëtarëve nuk ndodhi, edhe pse Gjykata Speciale u aprovua”, tha Thaçi në Klan Kosova.

Presidenti foli edhe për nismën e Organizatave të Dala nga Lufta për peticionin e nënshkruar nga 15 mijë persona.