11:52 / E Enjte, 13 Shtator 2018

Thaçi: Ushtria bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, njëanshëm lëndohet misioni shumetnik i saj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot në konferencën për media është pyetur edhe rreth transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.
Këto ditë, disa ambasada të huaja, sipas burimeve diplomatike, janë alarmuar sërish me ngritjen e kësaj teme nga zyrtarë qeveritarë, të cilët u kanë thënë se Qeveria planifikon ta procedojë së shpejti në Kuvendin e Kosovës projektligjin me të cilin do të themelohet ushtria e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se nuk është i informuar dhe nuk beson se janë të informuar as partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja.
Thaçi ka thënë se propozimi i tij dallon nga rrethanat aktuale, sepse kur ka propozuar ka qenë një mbështetje e plotë e SHBA-së dhe NATO-s në vitin 2014, mirëpo për shkak të ngurtësisë dhe kokëfortësisë dhe egove elektorale, sipas Thaçit, nuk kanë arritur ta kalojnë në Kuvend.

“Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës sime, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijesimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit. Sepse, kur themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, duhet të jenë të mirëpritura, një proces i hapur, i sigurt për partneritetin për paqe dhe NATO-n, dhe jo ndonjë veprim kokë në veti, i cili lëndon rëndë misionin shumetnik të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kështu që, një veprim i njëanshëm e çon në izolim. Një veprim i koordinuar i hapë rrugë të sigurt zhvillimit, forcimit, lëvizjes kah partneriteti për paqe dhe pastaj edhe në NATO”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, sot është një ditë e rëndësishme, historike, sepse Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe procedimi i kësaj çështjeje sot, nëse është e vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike për Kosovën, sepse nuk kemi nevojë me këtë mëngjes t’ua dërgojmë këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë.

“A kemi të drejtë? Kemi të drejtë. A duhet të lëvizim? Duhet të lëvizim. A duhet të lëvizim edhe më shpejt? Po, por me një proces plotësisht të koordinuar me SHBA-në dhe NATO-n. Çdo lëvizje tjetër mund të sjellë vetëm ngatërresa dhe mund të sjellë pështjellime politike të panevojshme, por edhe implikime negative ndërkombëtare në raport me të sotmen dhe të ardhmen e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Temat: