15:19 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

“Tifozat Kuq e Zi” bojkotojnë Kombëtaren, por fillimisht kanë një surprizë

Vazhdon bojkoti i “Tifozat Kuq e Zi” ndaj kombëtares, në ndeshjet e saj në shtëpi, si kundër reagim ndaj trajtimit policor. Kjo është bërë e ditur prej vetë këtij tifo-grupimi të zjarrtë: “Pas përpjekjeve të vazhdueshme për të realizuar një takim me ministrin e brendshëm, ky takim akoma nuk është realizuar. Vlen të përmendet gatishmëria e FSHF-së për të ndihmuar dhe ndërmjetësuar në gjithë këtë proces. Si rrjedhojë e këtyre rrethanave të pandryshuara, TKZ vazhdon bojkotin edhe në ndeshjen e sotme, për ndeshjet brenda, duke shpresuar në gjetjen sa më të shpejtë të një gjuhe të përbashkët me autoritetet policore. Sidoqoftë, i urojmë suksese kombëtares sonë në miqësoren ndaj Norvegjisë”.

Ndërkohë, një nga anëtarët e këtij tifo-grupi shumë të njohur edhe tejet të organizuar, ka zbuluar dicka përmes mesazhit të tij në Facebook: “Përshëndetje çuna. Grupi ynë, siç e dini, vazhdon të jetë në bojkot. Sot kryesia jonë ka vendos që të futemi në stadium 30 minuta pasi njëri prej anëtarëve të kryesisë do t’i bëjë propozim për martesë nuses së tij. Biletat do t’i blejmë rrugës për në stadium. Kush dëshiron të vijë në orën 5, takohemi te lloto. Mbasi të dalim nga stadiumi, të gjithë bashkë do ta shikojmë ndeshjen në lokal”.