14:43 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

Tjetër shqiptar reagon për shqiponjën e Xhakës dhe Shaqirit: Ishte fyese për zviceranet dhe serbët

Prej kohësh, analisti Mustafa Nano publikon në gazetën “Mapo” një korrespondencë me homologun serb, Zoran Panoviç. Letërkëmbimi mes tyre është mjaft interesant dhe synon të trajtojë ndryshe disa mite. Këtë herë, Mustafa Nano ka trajtuar edhe çështjen e festimeve me “shqiponjë” në ndeshjen mes Serbisë dhe Zvicrës të autorëve shqiptarë dy golave të fitores helvete, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Shkrimi është bërë viral në rrjetet sociale dhe po cilësohet si një provokim.

Ja shkrimi i plotë i Mustafa Nanos:

I dashur Zoran,

Këtë herë, edhe sikur të doja, nuk do mund t’i bëja bisht diskutimit mbi futbollin. Janë disa gjëra që janë bërë bashkë. Më e fundit në kohë është ndeshja Serbi-Zvicër në Botërorin rus, e cila, për arsye jo sportive, u shndërrua në një nga lajmet më të rëndësishme të botës gjatë javës së shkuar. Ne, shqiptarë e serbë, duket se nuk bëjmë dot pa pasur mbi vete reflektorët e medias. Por do t’i kthehem këtij argumenti më poshtë.

Më e para ishte vdekja e Fadil Vokrrit, futbollistit shqiptar, për të cilin flisje edhe ti në letrën tënde të fundit. “Ai ka qenë i vetmi shqiptar i dashur prej serbëve”, shkruante dikush në Prishtinë këto ditë. Si rregull, nëse serbët e duan një gjë, kjo është arsye që shqiptarët ta urrejnë, dhe anasjelltas. Por në këtë rast, kemi një përjashtim të bukur. Fakti që në Serbi u thanë fjalë të mira për Vokrrin, sido që ai ishte kreu i një institucioni të shtetit të Kosovës (Federatës së Futbollit), kapi në befasi shumë shqiptarë.

Përveç këtyre dy ngjarjeve, është edhe kampionati botëror i futbollit, që është festa më e madhe mbi faqe të dheut. Në Shqipëri, jeta e këtyre ditëve vallëzon me ritmin e kësaj ngjarjeje. Të gjitha televizionet e rëndësishme tonat, kombëtare e lokale, kanë ndërtuar programe talk-shoë që i dedikohen kësaj ngjarjeje. Ja titujt e disa prej këtyre programeve: Magjia 21, Top Arena, Gol 21, Ruleta Ruse, Russia 2018, Fair Play etj. Dhe të mendosh që ne shqiptarët nuk jemi pjesë e kësaj feste. Nuk kemi marrë kurrë pjesë në një kampionat Botëror. Ç’ngjarje e madhe do të ishte për ne sikur një ditë kjo gjë të bëhej e mundur! Ju nuk mund ta kuptoni këtë gjë, pasi jeni mësuar me pjesëmarrjen në Botëror.

Por le të kthehemi te ndeshja Serbi-Zvicër, për të cilën ju, siç më thoje në letrën e fundit, ishit përgatitur si për një “betejë të re të Koshares”. “Përfaqësuesen e Zvicrës do ta mundim bindshëm”, u tha Vuçiçi lojtarëve të kombëtares suaj, teksa po i përcillte në Rusi, dhe ky ishte sinjali i parë i politizimit të një ngjarjeje që ishte thjesht sportive. Për Presidentin Vuçiç, i gjithë Botërori reduktohej te përplasja me shqiptarët e Zvicrës. Ndeshjet e tjera, sidozot ajo me Neymar-in e Co., kalonin në një plan të dytë. Sikur t’ia thoshin Neymar-it këtë gjë, ai me siguri do lëndohej në sedër prej kësaj shpërfilljeje. Dhe ndoshta do të qante. Sepse ai, siç është parë, lotët i derdh për hiç gjë.

Por është e qartë se, edhe sikur të mos kujtohej Vuçiçi për ta politizuar atë ndeshje, do kujtohej dikush tjetër në Tiranë a në Prishtinë. Sepse edhe për ne ishte mjaft ideja që Zvicra e shqiptarëve do të luante me Serbinë për të na bërë që të ndiheshim si pjesë e festës së futbollit. Dhe atë ndeshje mezi e kemi pritur. Ti nuk mund ta përfytyrosh shpërthimin e entuziazmit pas golit të Granit Xhakës, dhe sidomos pas shfaqjes patriotike që ai dhuroi. Pastaj, erdhi hera e Xherdan Shaqirit, që golit të bukur që shënoi iu gëzua në të njëjtën mënyrë, duke bërë me duar shqiponjën dykrenore. Ky gjest, që është bërë një simbol kombëtar i yni tanimë, është krejt pa faj në këtë histori. Nuk ka në të asnjë ngarkesë shoviniste. Dhe është një gjest i ri (as pesëmbëdhjetë vjet nuk i ka mbushur), që ka ngjitur shumë mes shqiptarëve. Por në atë rrethanë, ishte një gjest i pavend, i tepërt. Për ta thënë me gjuhën e futbollit, ishte një gjest off-side.

Që të jem i sinqertë, unë pata disa ndjesira në këtë rrethanë. Shfaqja jo sportive e dhënë prej Xhakës e Shaqirit m’u duk fyese ndaj zviceranëve më shumë sesa ndaj serbëve. Gjëja e parë që u thashë disa miqve, me të cilët po e shihja ndeshjen, ishte: “Po të isha zviceran, do të provoja një lloj parehatie prej faktit që një lojtar i skuadrës përfaqësuese të vendit tim feston me simbolika të një kombi tjetër”. Roger Köppel, një deputet në parlamentin zviceran, e shprehu ndryshe këtë parehatí: “Kur pashë Xhakën e Shaqirin që, ndonëse mbanin veshur fanellën me ngjyrat e Zvicrës, po bënin shqiponjën shqiptare me dy kokë, u ndjeva ligsht; m’u duk vetja si të isha duke bërë seks me gruan, dhe kjo e fundit, teksa unë isha në prag të orgazmës, ia bën mes gulçeve e ofshamave: Oh, oh, oh, Jean-Luc! Imagjinoni se si mund të ndihem në këtë rrethanë, teksa jam i sigurt se emri im nuk është Jean-Luc”. Këtë ndërhyrje lojcake të këtij deputeti të Zvicrës e mësova nga një shkrim i një kolegut tonë, Enver Robellit, që shkruan nga Zvicra a nga Gjermania. Veçse Robelli i referohej Köppel-it në mënyrë kritike.

Ndjesia e dytë kishte të bënte me faktin që në futbollin e sotëm multietniciteti, më shumë se në çdo fushë tjetër të veprimtarisë njerëzore, është bërë një kulturë mbizotëruese. Zvicra, për arsye që dihen, është ilustrimi më i mirë i kësaj kulture. Dhe brenda këtij vendi, njerëz si Xhaka e Shaqiri do duhej ta mbronin më shumë se kushdo tjetër këtë kulturë të multietnicitetit. Ata janë këta që janë, d.m.th. dy shqiptarë të realizuar në këtë botë, falë kësaj Zvicre të hapur ndaj kulturave të tjera. Sikur të mos ishte kështu, sot do ishin duke luajtur me Hajvalinë e Prishtinës apo me Vllaznimin e Gjakovës, dhe shenjën e shqiponjës dykrenore do ta bënin vetën në tubimet elektorale të Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt.

Ndjesia e tretë kishte të bënte me një efekt tëhuajëzues (alienues) të këtij gjesti brenda skuadrës zvicerane, ku fare mirë mund të kishte lojtarë me origjinë serbe. Madje unë, i dashur Zoran, u vura të google-ja menjëherë pas ndeshjes në mënyrë që të verifikoja origjinën etnike të lojtarëve zviceranë, emri i të cilëve mbaronte me “iç”. Zbulova atë që prisja/uroja: Asnjëri prej “iç”-ëve nuk ishte me origjinë serbe. Vladimir Petkoviqi dhe Mario Gavranoviqi vijnë prej kroatëve të Bosnjës. Haris Seferoviqi është me orgjinë boshnjake. Ndërsa Josip Dërmiqi është me origjinë kroate. Sikur qoftë edhe njëri prej tyre të ishte me origjinë serbe, Xhakës e Shaqirit nuk do t’u shkonte mendja të festonin në mënyrë “anti-serbe”. Por ndërkohë, ata kanë lënduar plot serbë të tjerë që janë shtetas të Zvicrës, i kanë bërë këta të fundit ta shohin Zvicrën, të paktën për një copë herë, si një vend jo të tyrin.

Përsëris, zviceranët bënë shumë mirë që reaguan në këtë rast. Madje, unë prisja të reagonin më shumë, e më fort. Sepse me gjeste të tilla hapet një lojë e pakuptimtë, në mos e rrezikshme. Nesër mund të ndodhë që lojtarë të përfaqësueses zvicerane të jenë katër-pesë serbë, dhe atyre mund t’u shkojë në mendje të festojnë pas shënimit të golit në portën e Shqipërisë a të Kosovës me tre gishtat e ngritur në ajër, duke nderuar në këtë mënyrë historinë e identitetin serb. Si do ndiheshin në këtë rast ata shqiptarë të Zvicrës, apo edhe të Ballkanit, që u ngazëllyen prej gjestit të Xhakës e Shaqirit? Jam i sigurt që do ndiheshin keq. Por ani, do të kujtonin ndoshta rregullin e artë e të moçëm, mbi të cilin është ngritur bashkëjetesa humane në histori (ky rregull i artë gjendet pothuaj në të gjitha kulturat e rëndësishme të botës, e më së shumti i është atribuuar Krishtërimit): Mos ua bëj të tjerëve çfarë do doje që të tjerët të mos ta bënin ty. Në traditën tonë orale, që ka shumë gjëra të përbashkëta me tuajën, kjo maksimë e përbotshme ka mbetur në një trajtë kanosëse, dhe më sintetike: Ça ke ba n’mue, due me ta ba!

Dhe ndjesia e katërt, që është më e rëndësishmja, ka të bëjë me faktin që ajo shfaqje ishte shprehje e një nacionalizmi të vrazhdë e të papërpunuar, që në Zvicër, sidomos në Zvicër, nuk duket me shumë kuptim. Sipas meje, zviceranët, por edhe europianët në përgjithësi, bëjnë gabim që i lejojnë, në ndonjë rast edhe i inkurajojnë, emigrantët e bijtë e emigrantëve të bartin e manifestojnë paragjykime, fanatizma, urrejtje e konflikte që kanë të bëjnë me vendet e kulturat e tyre të origjinës. Rasti më i bujshëm është ai i turqve të Gjermanisë, një pjesë e të cilëve i kanë shndërruar sheshet e Dyseldorfit, Këlnit, Berlinit etj., në skena të teatrit politik turk. Një gjë e tillë nuk është e mirë as për vetë emigrantët, të cilët në këtë mënyrë veç me trup janë në Gjermani. Me mendje mbeten në Turqi, ashtu si Xhaka e Shaqiri, e prindërit e tyre, që me mendje janë në Kosovë.

Me shumë gjasë këta dy të fundit, pas ndeshjes, i kanë kushtuar më pak vëmendje jehonës zvicerane të fitores dhe janë fokusuar më shumë te jehona shqiptare e “poshtërimit që ata u bënë serbëve“. Dhe me siguri janë lumturuar me Edi Ramën, që vetëm pak minuta pas ndeshjes, më i ngazëllyer se kurrë, postoi në profilin e tij të facebook-ut fotot e Xhakës e Shaqirit me duart që bënin shqiponjën dykrenore, me presidentin Ilir Meta që e ndoqi ndeshjen në oborrin e Presidencës së bashku me ish-sportistë të shquar, e menjëherë më pas la edhe një shënim në rrjetet sociale, ku mes të tjerash shkruante se “ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme, një fitore bindëse, dhe me dy shqiponja që fluturuan në stadiumin e Kalingradit”, me Hashim Thaçin që iu dërgoi “urime golashënuesve Xhaka, Shaqiri dhe tërë Zvicrës për fitoren e merituar”. Presidenti i Kosovës e mbyllte mesazhin me fjalët: “Krenarë me ju, Kosova ju don”.

Në një atmosferë disi surreale, Xhaka e Shaqiri u shndërruan në dy heronj kombëtarë. Ata me shumë gjasë nuk kanë marrë ndonjëherë lëvdata sa kanë marrë atë mbrëmje. Dhe lëvdatat nuk u jepeshin për shkak të asaj që ata bënë si sportistë. Jo, u jepeshin për shkak të asaj që ata bënë si patriotë. Të gjithë harruan se para dy vitesh, kur luajti Shqipëria kundër Zvicrës në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian, Xhaka e Shaqiri u bënë tabelë qitjeje e shfrimeve nacionaliste. Ata u shpallën tradhtarë të kombit. Madje, kam frikë se shpërthimi i nervit atdhetar të këtyre të fundit ka lidhje me atë që të thoja në letrën time të fundit: “Futbollistët shqiptarë që luajnë për kombëtaren e Zvicrës, si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, duket se vuajnë prej një kompleksi të renegatit; e prandaj bëjnë herë pas here gjeste publike, nëpërmjet të cilave duan të fitojnë kredenciale patriotike në vendin e prindërve të tyre”.