21:03 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Tottenham i dhuron leksion Chelseat dhe e kalon me pikë

Chelsea mori një leksion të ashpër në derbin londinez përballë Tottenhamit në “Wembley”, ku u mposht me rezultatin e thellë 3-1 dhe pësoi humbjen e parë sezonale nën drejtimin e Sarrit, duke humbur edhe kontaktet me kreun.

Skuadra e Pochettinos shënoi dy gola të shpejtë, fillimisht në minutën e 8’ me anë të Delle Ali-t dhe më pas në të 16-ën, me anë të kapitenit Harry Kane, të dy të asistuar nga fantazisti danez Erikssen.

Chelsea u përpoq të futej në lojë dhe të rihapte takimin, por nuk ia doli të kërcënojë seriozisht kuadratin e portës së Lloris, pavarësisht dominimit në qarkullimin e topit.

Nga ana tjetër, “Spurs”-at mbroheshin me shumë kujdes dhe kundërsulmonin vazhdimisht në mënyrë të rrezikshme, duke vënë në vështirësi mbrojtjen e skuadrës së Sarrit.

Pikërisht në një rast të tillë, koreano-jugori Son Hueng-min mori një pasim nga Delle Ali dhe arriti të avancojë drejt zonës, për të shënuar edhe golin e tretë për Tottenhamin, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes.

Golin e vetëm të takimit për “blutë” e Londrës e shënoi sulmuesi francez Olivier Giroud në minutën e 85-të, vetëm 7 minuta pasi kishte zbritur në fushë, në vendin e brazilianit ëilliams.

Me këtë triumf, Tottenham ngjitet në vendin e tretë, në kuotën e 30 pikëve dhe lë pas pikërisht Chelsean me 28, ndërsa renditja kryesohet nga Manchester City me 35 pikë, e ndjekur nga Liverpool me 33.