Trajneri i Feronikelit: Një pikë nuk është pak kundër kampionit
Feronikeli është kthyer me një pikë nga udhëtimi në Gjilan, ku barazoi 1:1 me kampionin aktual, Dritën. Trajneri i skuadrës nga Drenasi, Zekirija Ramadani është shprehur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij, ndërsa ka thënë se mund të merrnin më shumë nga kjo ndeshje.
“Nuk është pak një pikë në ndeshjen si mysafirë të kampionit aktual. Në fakt mund të arrinim më shumë, sepse pas golit të parë patëm rast të dyfishojmë rezultatin. Mendoj se për një nuancë ne e merituam më tepër fitore, ndërsa rivali na ndëshkoi nga një gjuajtje që u devijua. Sidoqoftë, ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja palët dhe i uroj futbollistët për angazhimin e madh”, ka thënë Ramadani për Super Sport Kosova.
Sa i përket titullit të kampionit, ai vlerëson se ende është herët të flitet. “Nuk janë vetëm Prishtina, Feronikeli e Llapi në garë për titull. Unë nuk e anashkaloj as Dritën, sidomos nëse në ndeshjen e ardhshme me Prishtinën merr rezultat pozitiv. Gjithçka është e hapur”, ka shtuar Ramadani.