21:27 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Tri lokacionet e reja ku do të kërkohet për varreza masive

Tre lokacione të ndryshme janë pikat ku do të fillohet për kërkime për varreza masive dhe individuale në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme.

Pas komunës së Gjakovës në të cilën gërmimet për varreza kanë filluar me 16 prill, varrezat e Prizrenit do të jenë lokacioni i dyte për të kërkuar mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Prenk Gjetaj nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ka thënë për Indeksonline se nga gërmimet në një lokacion në Gjakovë kanë zbuluar disa pjesë kockore të njerëzve.

“Tani për tani është duke u punuar në Gjakovë që nga data 16 prill, pastaj do të vazhdohet në varrezat e Prizrenit si dhe në fshatin Lupq. Gërmimet në këto lokacione të dyshuara për varreza janë ndërprerë vitin e kaluar në vjeshtë për shkak të kushteve jo të favorshme të motit”, ka thënë ai.

Gjetaj ka thënë se në lokacionin ku është duke u kërkuar për varreza, në kompleksin industrial në Gjakovë janë gjetur pjesë kockore ku vetëm analiza do ta tregoj se a është fjala për të zhdukurit.

Ndërkaq sa i përket lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Serbi, Gjetaj ka thënë se do të bëjnë përpjekje që të bindin autoritetet serbe që gërmimet për varreza të nisin sa më parë.

“Ne do të bëjmë përpjeke për ti detyruar autoritetet serbe që ti fusin në agjendë vlerësimet për lokacionet e dyshuara të cilat na i kemi identifikuar në regjionin e Rashkës”.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë përgjigje nga pala serbe, por se do të shikohet që të  ushtrohet presion duke përdorur faktorin ndërkombëtarë, për të filluar gërmimet për varreza individuale dhe varreza masive. /Indeksonline/