20:01 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Trump gjatë takimit me Thaçin: Kosova është një vend i mrekullueshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se gjatë takimit që ka pasur me presidentin e Amerikës, Donald  Trump ka thënë se “Kosova është një vend i mrekullueshëm me një popull të mrekullueshëm, dhe e ndien dhe e njeh problematikën e Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti në një prononcim për RTK, po ashtu tha se në takimet që ka pasur me sekretarin Mike Pompeo dhe ambasadoren e SHBA-së në OKB, ishte një ndjenjë e fuqishme me mbështetje për Kosovën, ku u shpreh qartë se administrata Trump mbështet Kosovën dhe rrugëtimin më të shpejt për në NATO.

Ai, po ashtu, shtoi se SHBA e çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me SHBA-në, ndërsa tregoi se në takimet që ka pasur i është dhënë mbështetje Kosovës për themelimin e forcave të armatosura të Kovovës, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe NATO-n.

Presidenti Thaçi, po ashtu pohoi se SHBA mbështet fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjen e mundshme historike që mund të arrihet mes dy vendeve.

“SHBA konfirmuan qartë se e mbështesin edhe angazhimin që kemi deklaruar, në rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ku mund të përfshihet demarkimi i kufirit dhe korrigjimi i lehtë i kufirit, që do të mbyllte urrejtjen ndër shekullore mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi presidenti Thaçi.