75 Mall Live Search
14:42 / E Enjte, 09 Prill 2026 / OSH

Tryezë shkencore për tekstet shkollore të historisë

Instituti Albanologjik-Prishtinë, gjegjësisht Dega e Historisë-IAP, do të organizojë tryezën shkencore me temën “Tekstet shkollore të historisë në Republikën e Kosovës (probleme dhe sfida)”.
Ky aktivitet do të mbahet më 14.04.2026, e marte, ora 10:00, në sallën e katit të epërm të Institutit Albanologjik-Prishtinë.
Në këtë tryezë shkencore do të trajtohet një sërë çështjesh të librave shkollore të historisë, aspektet e mësimdhënies në raport me historiografinë, dhe praninë dhe prezantimin e faktografisë në tekstet shkollore që nga periudhat e mëhershme dhe deri më sot.
Këshilli organizativ i tryezës përbëhet nga z. Nuridin Ahmeti, këshilltar shkencor dhe shef i Degës së Historisë-IAP dhe znj. Zana Hoxha, hulumtuese e pavarur shkencore në Degën e Historisë-IAP, studiues e arkeologjisë.
Fjalën hapëse do ta mbajë z. Nuridin Ahmeti, ndërsa me kumtimet e tyre do të na nderojnë këta studiues:

  1. Ibrahim GASHI, “Historia publike si qasje bashkëkohore në mësimdhënien e historisë”,
  2. Abdurrahim MAXHUNI, “Terminologjia si mjet ideologjik në tekstet shkollore të historisë
  3. Veli KRYEZIU, “Mësimdhënia e historisë përmes mediave”,
  4. Xhemajl HALILI, “(Dis)balancimi mes kombëtare dhe asaj rajonale në rezultatet lëndore në nivelin e dytë të Arsimit Parauniversitar në Kosovë”,
  5. Blerim HALILI, “Kujtesa kolektive në librat shkollorë të historisë, një perspektivë për të ardhmen”,
  6. Nuridin AHMETI, “Tryezat për tekstet shkollore të historisë në Kosovë: temat, debatet dhe ndikimi i tyre”,
  7. Bekim PACI, “Sfidat në shkrimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë”,
  8. Kadire HAZERAJ, “Sfidat në mësimdhënie dhe mësimnxënie në lëndën e historisë”,
  9. Dren BRAHIMAJ, “Dominimi i faktografisë në librat shkollorë të historisë në Kosovë: një studim empirik”,
  10. Zana HOXHA, “Prezantimi i Dardanisë në tekstet shkollore të historisë së Kosovës”.
    Kryesia e punës në këtë tryezë përbehet nga z. Ibrahim Gashi dhe znj. Kadire Hazeraj, ndërsa fjalën përmbyllëse do ta mbajë z. Blerim Halili.