23:38 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Turqia tërheq ambasadorët nga Amerika dhe Izraeli

Turqia ka tërhequr ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Izraeli, në një protestë zyrtare ndaj vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për ta zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu Ajansi, duke cituar zëvendëskryeministrin Bekir Bozdag, ka thënë se diplomatët e lartë janë urdhëruar të kthehen në Turqi.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ambasada e Turqisë në Uashington, raporton CNN.

I pyetur se për sa kohë do të zgjasë kjo protestë e Turqisë, një zëdhënës në ambasadën në Uashington është përgjigjur: “Nuk e dimë në këtë fazë”.

Ai ka shtuar se ambasadori në SHBA është urdhëruar të kthehet në Turqi “për konsultime”.

Në ditët e fundit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka krituar ashpër vendimin e Amerikës për ta zhvendosur ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem.

Qyteti i shenjtë prej kohësh konsiderohet çështje shumë e ndjeshme dhe e nxehtë, sa që negociatorët ndërkombëtarë janë pajtuar ta lënë atë për diskutim vetëm gjatë negociatave përfundimtare për statusin e Palestinës.