20:31 / E Enjte, 10 Mars 2022 / SH F

TWITTER-DIPLOMACIA E KOSOVËS 2022

Në kohën kur Kosova mëton të zë vendin e saj në realitetin e ri politik e atë të sigurisë në botë, – Në kohën e ndryshimeve tektonike të aleancave dhe interesave strategjike në politikën globale,-

Në periudhën kur po bëhen gati gjysëm viti të skadimit të zotimit të Kosovës për Moratorium në anëtarësim në organizata ndërkombëtare;-

Në momentin kur Kosova do të duhej t’a ketë të saktësuar kalendarin e veprimit diplomatik, dhe të njejtin tashmë të dakorduar me aleatët strategjik;ZvKM Bislimi vepron në mënyrë të papërgjegjshme duke vendosur t’a lansojë agjendën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pa asnjë dakordim/koordinim së paku me shtetet e Kuintit (për faktin se Përfaqësia e Përhershme e Republikës së Francës në Këshillin e Evropës pëlqeu tuitin demantues të Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge).

Me këtë veprim, ZvKM Bislimi nuk diskreditoi veten si politikan, as partinë që përfaqëson në këtë qeveri, por diskreditoi aftësinë e Kosovës për t’u provuar e zonja në ndërmarrjen dhe udhëheqjen e agjendave komplekse diplomatike, ku secili mesazh e secila deklaratë duhet të konfirmohet me palën qe citohet në deklaratë/postim.

Citimi i pasaktë i palës, në emër të një agjende shtetërore për të mos thënë jetike në këtë kohë kur trasohet rruga diplomatike edhe për anëtarësime më të ndërlikuara, Kosova paraqitet në arenën ndërkombëtare me një dështim blatant, si palë që s’bën t’i besohet, si palë me të cilën s’bën të flitet në konfidencë, si palë që keqinterpreton diskutimet interne, si palë që keqpërdorë platforma komunikimi për të “rrëmbyer e kontrabanduar” qëndrimet e miqve për të fituar poena politik në shtëpi.

ZvKM Bislimi harron që më e rëndësishme se turravrapi për të marr merita për kinse mirëpritjen e miqve të qëllimit të Kosovës për anëtarësim, është ruajtja e agjendës dhe fitimi i besimit të aleatëve ndërkombëtar prej të cilëve varet anëtarësimi ynë.Nuk guxoj as të imagjinoj talljen që do e bëjnë armiqtë serb sot me këtë skandal, i cili e dështoi Kosovën ende pa e hedhë hapin e parë në drejtim të anëtarësimit.

Prof. Bislimi është profesor i mirë i Mikro dhe MakroEkonomisë, dhe është mirë të përqëndrohet aty ku mund të kapitalizojë maksimalisht kontributin e tij. Diplomacinë t’ua lë profesionistëve.

MPJD ka diplomatë të zotë, që edhe në të kaluarën, por edhe sot, do të mund t’i ndihmojnë Qeverisë të kurorëzojë me sukses veprime të ndërlikuara diplomatike. (Poaq e papërgjegjshmë është edhe delegimi i përfaqësuesve të padenjë nga një parti politike opozitare në delegacionin që përfaqësonte Kosovën në Strasburg, deputet që as emrin e vet nuk e shkruan pa gabime, e lëre më të lobojë, diskutojë, e përfaqësojë tema komplekse me institucione ndërkombëtare!)