19:08 / E Mërkurë, 05 Prill 2023 / Gj. Sh

U fye në baza racore nga tifozët e Juventusit, reagon Lukaku

Futbollisti i Interit, Romeu Lukaku, ishte protagonist kryesor i mbremjes së djeshme në ndeshjen e Kupës së Italisë, ndaj Juventusit.

Sulmuesi belg shënoi golin e barazimit në fund të ndeshjes, dhe gjatë festimit tifozët e Juventusit e shanë në baza racore, shkruan IndeksOnline.

Ndeshja u përcoll me tensione të mëdha, ku Lukaku pas shënimit të golit, u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes u ndeshkuan me kartonë të kuq edhe Cuadrado e Handanovic.

Pas ndeshjes, Lukaku ka reaguar rreth fyerjeve raciste përmes rrjeteve sociale, ku kujton edhe një episod të ngjashem të vitit 2019.

“Historia përsëritet si në 2019-ën dhe vjen përsëri në 2023-shin. Shpresoj që këtë herë federata të marrë vendime të drejta. Këtë lojë duhet ta shijojnë të gjithë. Ju falënderoj për mesazhet e shumta. Vaftë në dreq racizmi”, ka shkruar Lukaku./IndeksOnline/