16:53 / E Premte, 06 Maj 2022 / A. M.

UBT e bën Kosovën me qendrën e parë inovative në rajon për zhvillimin e ideve kreative “UBT Accelerator”

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së është bërë hapja e qendrës së parë inovative në rajon “UBT Accelerator”, e cila do të jetë në shërbim të studentëve për zhvillimin e ideve kreative, inovative dhe krijimin e përparësive teknologjike.

Në hapje të kësaj qendre, u organizua një punëtori me studentët e UBT-së, ku morën pjesë rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, eksperti ndërkombëtar i marketingut dhe ndërmarrësisë nga Izraeli, Tal Catran si dhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.

Në këtë punëtori u diskutua për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, mirëpo u vu theksi tek nevoja e studentëve për të qenë sa më kreativ dhe për të zhvilluar dhe shtyrë përpara idetë që ata kanë.

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, potencoi faktin se qendrat e tilla inovative nxisin bashkëpunimin dhe sigurojnë më tepër suksese të studentëve, ndaj edhe UBT është gjithnjë nxitëse në krijimin e qendrave si kjo.

“Ne shohim përditë talentë të rinj, të cilët kanë dëshirë të rriten, por iu nevojitet mbështetje prej mentorëve, gjë që UBT ua siguron atë, me qëllim të rritjes dhe fitimit të sukseseve të reja. Mbi 60% e studentëve tanë kanë krijuar biznese të reja në fusha të ndryshme, dhe këtij fakti ne i gëzohemi shumë dhe jemi këtu për t’i përkrahur ata kudo që kanë nevojë”, ka thënë rektori Hajrizi.

Eksperti ndërkombëtar nga Izraeli, Tal Catran, i cili ka një përvojë të gjerë në marketing, në mbledhjen e fondeve dhe menaxhimin ekzekutiv, theksoi nevojën që studentët të mbështeten drejtë qëllimeve dhe arritjeve të reja.

“Kosova është ndoshta më e vogël se Kina, mirëpo është vend që ka njerëz të fuqishëm dhe kjo e bënë të madhe. Besoj që UBT është duke u angazhuar çdo ditë për t’i shtyrë studentët drejtë arritjeve dhe sukseseve të reja”, ka thënë ai.

Në diskutim e sipër, ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari, garantoi mbështetjen e Qeverisë ndaj nismave për të sjellur risi dhe perspektivë në inovacion dhe ndërmarrësi, duke e konsideruar UBT-në si storie suksesi që ka ofruar edukim të mirë.

“Vendi jonë është drejtë arritjeve dhe sukseseve të reja dhe kjo jo përshkak të Qeverisë, por shkaku i ndryshimeve që po rrjedhin nga COVID-19. Industri të ndryshme po kërkojnë të afrohen për bashkëpunim, përshkak që kanë nevojë të ndryshojnë agjendat e shitjeve dhe për kreativitetin e njerëzve. Ata po shohin potencialin kreativ të të rinjve këtu në Kosovë dhe është sinjali që po na garanton investime. Por, nevojitet edhe edukim i mirë, gjë që e kemi parë tek UBT dhe është shumë e nevojshme për ta promovuar”, potencoi Hajdari.

“UBT Accelerator” do të jetë qendra e parë inovative në rajon, e cila do të krijojë hapësirën e nevojshme që studentët e UBT-së dhe jo vetëm, të zhvillojnë kreativitetin e tyre dhe të arrijnë suksese të reja në fusha të ndryshme që i vënë theks të veçantë inovacionit dhe ndërmarrësisë.