22:55 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Ukshini: Orientimi strategjik i Kosovës lidhja me perëndimin dhe anëtarësimi në NATO

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini ka marrë pjesë në konferencën “70 vjet NATO, 10 vjet anëtarësim në NATO për Shqipërinë” në Tiranë, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) dhe Hanns Seidel Stiftung.

Ukshini theksuar se ky përvjetor i krimit të NATO-s dhe i 10 vjetorit te  anëtarësimit të Shqipërisë përkon me një ngjarje shumë të veantë për popullin e Kosovës,  me 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në luftën e Kosovës, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë.

Njoftimi i tij i plotë:

Sot në Tiranë së bashku me ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Polonisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, dhe diplomatë dhe akademikë e intelektualë të Shqipërisë, mora pjesë në konferencën “70 vjet NATO, 10 vjet anëtarësim në NATO për Shqipërinë”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtar (AIIS) dhe Hanns Seidel Stiftung.

Në panelin “NATO dhe Ballkani Perëndimor, arritjet he sfidat”, kam theksuar se ky përvjetor i krimit të NATO-s dhe i 10 vjetorit te  anëtarësimit të Shqipërisë përkon me një ngjarje shumë të veantë për popullin e Kosovës,  me 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në luftën e Kosovës, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike në Konferencën e Rambujesë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën.

Ky intervenim ushtarak i Aleancës në luftën e Kosovës përbënte një moment kyç në krijimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë afatgjate në rajonin e Evropës Juglindore. Në këtë kontekst, kam theksuar se orientimi strategjik i Republikës së Kosovës mbetet lidhja me Perëndimin dhe anëtarësimi në NATO, duke shtuar se qytetarët e vendit tim do të jenë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre ofruar në periudhën e luftës në dy dekadat e fundit.

Në këtë kontekst, kam theksuar se 20 vjet pas çlirimit Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës kanë bërë hapin e duhur të domosdoshëm me miratimin e tri projektligjeve: Projektligjin për Forcën e Sigurisë, Projektligjin për Shërbimin në FSK dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, përmes të cilëve kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës. Pavarësisht hezitimeve e ndonjë vendi, institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë të njohur faktin se drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s, është një parakusht i domosdoshëm për anëtarësim në NATO.

Dhe fakti se ushtria e Kosovë aspiron  të jetë pjesë e NATO-s, kjo është një dëshmi se me krijimin e ushtrisë së Kosovës do të kemi edhe një forcë moderne e aftë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë. Gjithashtu, theksova se faktin se për ne është inkurajuese se krahas vendeve partnere perëndimorë, Kosova në këtë rrugëtim ka gjetur mbështetjen e nevojshme edhe nga vendet fqinje dhe ky fakt është një tregues se shteti i Kosovës kanë arritur të ndërtojë marrëdhënie konstruktive me vendet fqinje dhe në këtë kuadër e ka mirëpritur dhe e konsideron me interes për paqes dhe sigurinë rajonale anëtarësimin e vendeve të rajonit në NATO.

Më tej kam theksuar se Republika e Kosovës e vlerëson gjithashtu kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë brenda Aleancës, duke shtuar se vendi ynë e ka mirëpritur së fundi edhe anëtarësimin e Malit të Zi dhe e mbështet fuqishëm edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, pasi prania e Aleancës dhe bashkëpunimi rajon dhe ndërkombëtar është vendimtar për suksesin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe çfarëdo tendence jashtë rajonit për të minuar politikën dhe angazhimin perëndimor në rajon që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Në fjalën e saj, Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara e Shteteve të Bashkuara në Tiranë,  përmendi edhe kontributin e çmuar të Shqipërisë në misionet e NATO-s.

“Për dhjetë vite, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak, ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 për qind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate”.