15:43 / E Shtunë, 20 Tetor 2018 / indeksADMonline

Unioni i Studentëve të Kosovës reagon kundrejt plagjiaturës të profesorëve

Unioni i Studentëve të Kosovës shpreh shqetësimin e studentëve pas raportimeve të fundit në media në lidhje me plagjiaturën e profesorëve, duke konsideruar një gjë të tillë si kërcënim i profesionalizmit dhe dijës.

Kryetarja e Unionit të Studentëve të Kosovës, Krenare Çerkini tha se Unioni është çdoherë në mbrojtje të meritës dhe tejet kundër padrejtësive e sidomos në fushën e arsimit pasi që konsiderojmë se çdo dëm që i shkaktohet arsimit dëmton drejtpërdrejt studentët dhe të ardhmen e vendit, duke qenë se janë studentët ata të cilët ndjekin ligjëratat e pseudoprofesorëve dhe marrin mësim nga “dija e falsifikuar”.

“Organet kompetente duhet që t’i ndëshkojnë të gjithë ata profesorë për të cilët vërtetohet që kanë bërë plagjiaturë dhe assesi të mos i avancojë në pozita udhëheqëse. Në kërkojmë nga MASHT që të ndërtojë një sistem anti-plagjiaturë që do parandalonte plagjiaturën në të gjitha universitetet publike dhe private në Kosovë. Këtë reagim e drejtojmë kundrejt organeve kompetente që të ndërmarrin masa në këtë drejtim e të zë vend drejtësia në arsim. Njëherë e përgjithmonë, për një arsimim cilësor!”, tha Çerkini.