20:19 / E Hënë, 10 Shtator 2018 / indeksADMonline

UP shtyn afatin për aplikim të studentëve në nivelin Master

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë mbledhjes së sotme vendosi që Fakulteti i Mjekësisë të ketë kandidatin Fisnik Kurshumliu si prodekan për çështje mësimore.

Në këtë mbledhje u vendos edhe të shtyhet afati për aplikim në nivelin Master si dhe “International Journal of Pharmaceutical Sciences Review and Research” u largua nga lista e revistave të kualifikuara për publikimin e punimeve shkencore.

Senati i UP-së me shumicë të votave gjatë mbledhjes së sotme votoi që profesori Fisnik Kurshumliu të zgjidhet prodekan për çështje mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, në mandatin e mbetur deri në zgjedhje.

Senatorët studentë kërkuan që afati i konkursit për studentë të nivelit Master të shtyhet për një javë sepse studentët që po diplomojnë në Bachelor në afatin e shtatorit nuk po arrijnë të aplikojnë në nivelin Master.

Mirëpo, dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli, tha se kërkesa e këtyre studentëve nuk është e drejtë sepse kjo nënkupton shkelje të statutit të UP-së dhe afateve të përcaktuara me ligj.

“Nuk mendoj që është kërkesa e drejtë sepse ne duhet të pranonim të gjithë studentët në pranverë e jo si neve që na shkon shtatori edhe tetori duke i pranuar studentët. Çështja e atyre që nuk diplomojnë deri në fund të shtatorit mund të bëhet zgjidhje nëse s’plotësohen vendet se nëse plotësohen atëherë duhet të aplikojnë vitin e ardhshëm. Nëse vendoset, duhet të jetë për të gjitha fakultet e jo vetëm për disa fakultete”, tha Dugolli.

Por dekani i Shkencave Sportive, Musa Selimi nuk mendon njëjtë si Dugolli.

Ai tha që nuk është periudhë e gjatë kohore nëse afati për aplikim në nivelin Master shtyhet për një javë.

Pas shumë diskutimeve Senati mori vendim që me datën 21 shtator të shpallet konkursi për aplikim në nivelin Master, më 28 shtator të mbyllet, me 29 shtator të mbahet provimi pranues, ndërsa më 1 tetor të shpallen rezultatet preliminare, më 2-3 tetor të shqyrtohen ankesat dhe më 4 tetor të shpallen rezultatet përfundimtare, kurse më 10 tetor të bëhet regjistrimi i këtyre studentëve.

Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli tha se revistat që nuk kanë kredibilitet të largohen nga lista e atyre që kanë.

Ai madje propozoi që të shqyrtohet edhe afati kohor i punimeve. Siç deklaroi ai nëse një punim nuk ka të paktën gjashtë muaj hulumtim të mos vlerësohet si punim shkencor.

“Jam që çdo revistë që s’ka kredibilitet të futet në listën e atyre që janë pa kredibilitet. Aspekti formal juridik plotësohet por aspekti akademik nuk plotësohet. Ligji i Arsimit le të thotë me recensent ndërkombëtar por a duhet të shkojmë kështu apo me këto forma elektronike ku dalin se dikush boton diçka pa asnjë vlerë shkencore dhe shitet sikur ka diçka shkencore. Secila revistë në rast se një punim nuk i ka marrë gjashtë muaj atëherë nuk ka vlerë akademike”, tha Dugolli.

Gjatë mbledhjes u diskutua dhe u miratua rasti i pesë kandidatëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët në rezultatet preliminare ishin pranuar por në ato përfundimtare janë refuzuar, mirëpo emrat e tyre në këtë listë ishin lexuar me lexues optik, siç tha Dema, prandaj edhe ka ndodhur një lëshim.

Senatit iu kërkua që të votojë për këta studentë që pavarësisht që është përmbushur numri i studentëve në këtë fakultet t’u mundësohet që të jenë pjesë e këtij fakulteti sepse kishin përmbushur kriteret.

Senati votoi edhe Raportin e Komisionit për ankesa dhe parashtresa ne rastin e tre kandidatëve të cilëve iu është refuzuar kërkesa për pranim në studime të doktoratës edhe pas ankesës./kallxo/