21:56 / E Shtunë, 30 Qershor 2018 / indeksADMonline

Uruguai në çerekfinale – Ronaldo & co largohen nga Botërori

Edinson Cavani me dy golat e tij e ka dërguar Uruguain në çerekfinale të Kupës së Botës.

Pas Messit, ishte radha e Ronaldos që t’i jepte lamtumirën botërorit “Rusi 2018”, sepse Portugalia kampione e Europës, nuk kaloi dot pengesën Uruguai. Ashtu si në Francë-Argjentinë, ku vendosi Mbappe, edhe këtu vendosi një tjetër sulmues i PSG-së, Edison Cavani, që shënoi dy gola mjaft të bukur dhe la në hije Cristiano Ronaldon.

Sfida nisi mjaft mirë për Portugalinë, por golin e parë e shënuan uruguaianët. Edison Cavani nisi një aksion nga krahu i majtë i sulmit dhe më pas u fut në zonë, ku Suarez e gjeti saktë me një krosim dhe sulmuesi i PSG-së shtyu topin në rrjetën e kampionëve në fuqi të Europës.

Pavarësisht përpjekjeve të portugezëve, pjesa e parë përfundoi me fitoren minimale të uruguaianëve, ndërsa barazimi erdhi vetëm në minutën e 55-të. Pas disa minutave të mira, Portugalia fitoi një goditje këndi, ndërsa krosimi gjeti saktë mbrojtësin veteran Pepe, që me kokë shtyu topin në rrjetë.

Gjithsesi Cavani riktheu edhe njëherë qetësinë te uruguaianët, pasi në minutën e 62-të shënoi një gol mjaft të bukur, me një goditje në hyrje të zonës. Goli i dytë i uruguaianit të PSG-së “goditi” rëndë shpresat e portugezëve, që më pas nuk arritën të tregohen të kthjellët dhe të gjenin golin e barazimit.

Pas eliminimit të Argjentinës dhe Portugalisë, Botërori humbë plot 10 Topa të Artë./IndeksOnline/