18:18 / E Diele, 27 Shtator 2020 / indeksADMonline

Vendim/ 5 mësimdhënës dalin pozitiv me COVID në Istog, 3 paralele do të vijojnë mësimin online

Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Task Forcës së Komunës se Istogut, u vendos që shkolla “Bajram Curri”, gjegjësisht tri paralele të vijojnë mësimin online, kjo pasi që COVID-19 ka prekur stafin e këtij institucioni.

Indeksonline gjatë ditës së sotme ka raportuar në lidhje me këtë situatë, ndërsa drejtori i kësaj shkolle fillore, Hasan Blakaj, ka konfirmuar se pesë mësimdhënës janë infektuar me COVID dhe është marrë vendim që mësimi do të zhvillohet në distancë.

“Tri klasë do të kalojnë nga nesër në mësim online,  ndërsa për vendimet e tjera, nesër do ta kemi edhe një takim ku do të marrim edhe rekomandimin e IKSHPK-së. Sot nga 50 mësimdhënës që e kanë bërë testin, pesë kanë rezultu pozitiv. Gjendja shëndetësore e këtyre mësimdhënësve është e mirë, kemi kontaktu para disa minutave që pjesa dërmuese s’kanë asnjë simptomë”.

Ai tha për Indeksonline se nuk janë aq shumë të përgatitur sa i përket rasteve të tilla kur ndodhin, sepse sipas tij situata është e tillë.

“Ne megjithatë kemi një përvojë nga viti i kaluar. Është një ekip që punun në kuadër të shkollës dhe sigurisht që do ta bëjmë atë që e kemi të mundshme. Derisa, mësimdhënësit e infektuar do të izolohen sipas udhëzimeve të IKSHPK-së”.

Kujtojmë që Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, përmes një komunikate ditë më parë kanë thënë se nëse situata pandemike përkeqësohet, mund të marrin vendim për mbylljen e shkollave./Indeksonline