75 Mall Live Search
14:21 / E Diele, 07 Korrik 2024 / Gj. Sh

Vërshimet në Dragash, Letër e hapur për Kryetarin e Komunës nga Miran Sadiku

Shkruar nga: Miran Habil Sadiku

Referencë: Vërshimet e datës 26.07.2024 në Opojë

I nderuri Kryetar i Komunës z. Bexhet Xheladini,

Unë shpresoj dhe besoj në gatishmërinë tuaj për të ndihmuar dhe gjetur zgjidhje sa më të shpejtë dhe afatgjate për situatën e fundit në Opojë, e sidomos në fshatrat e prekur nga vërshimet e datës 27.06.2024.

Në rrethana të tilla marr guximin t’ju drejtohem për të kërkuar fokusin tuaj për rimëkëmbjen dhe sanimin e dëmeve marramendëse në zonat e prekura.

Edhe fshati Kuk e ka pësuar shumë herë nga mosmirëmbajtja e lumit dhe degradimi total i tij në vitet e fundit. Shkaqet janë të njohura, pasi shumë fshatra janë të prekur nga dukuria e hedhjes së plehrave të kafshëve dhe bërllokut të konsumit ditor.

Unë mendoj, se ju e keni mundësinë për të mbetur në kujtesën e opojarëve, sidomos pas kësaj ngjarje tragjike. Pikërisht me nismën e një projekti për Rindërtim.

Opoja ka me dhjetëra ndërtimtarë e arkitektë të mirëfilltë, të cilët do ju ofronin plane konkrete pa pagesë për rregullimin e shtretërve të lumenjve. Ju duhet vetëm t’ua kërkoni këtë bashkëpunim, pavarësisht nëse këta ekspertë e kanë braktisur Opojën ose jo.

Problemet me gypat e ujësjellësit dhe ujërave të zeza ka qenë shkaku kryesor që shumë iniciativa për pastrimin e lumit janë shuar në Kuk, akoma pa filluar fare. Shumë shtëpi (para vërshimeve të fundit), kanë pasur gypat e ujit dhe të kanalizimit në lum. Për pasojë, çdo përpjekje për të pastruar përkatësisht rregullimin e shtratit të lumit, haste në kundërshtimin e atyre familjeve, pasiqë në rast të rregullimit të shtratit të lumit, ato do të mbeteshin pa ujë dhe pa kanalizim.

Vërshimet e fundit vetëm sa nuk rrafshuan shtëpitë e fshatrave, e për shtratin e lumenjve nuk do koment.

Fondet shtesë nga qeveria qendrore dhe lokale, ndihma nga kompanitë ndërtuese, por edhe kontributet solide hiç më shumë se nga 50-100 €, nga mërgimtaret (çdo shtëpi tashmë ka një të tillë), do ta transformonin Kukin, por edhe fshatrat e tjera në fshatra atraktive për jetë, dhe jo si vendbanime, nga frika prej vërshimeve të ardhshme, që mund të kushtojnë edhe me jetë njerëzish.

Opojarët e njohin Evropën prej më shumë së 65 vitesh, atëherë edhe kur të paret tanë ikën për jetë më të mirë. Patjetër se pastërtia e lumenjve në Evropë është prej gjerave që na mbeten në kujtesën tonë.

Edhe në Perëndim ka vërshime të llahtarshme dhe shpesh bile me viktima në njerëz.

Pushteti lokal, qendror dhe shoqëria civile aktivizohen këtu dhe ja dalin për t’i kaluar problemet pas vërshimeve.

Neve nuk na mungon asgjë me pak se perëndimorëve. Ne kemi bile një përparësi, ne besojmë në Zotin Një dhe i frikësohemi atij.

Fotot e bashkangjitura pasqyrojnë rregullimin e lumenjve në vende të ndryshme evropiane. Edhe në Kosovë ka disa lumenj të rregulluar për mrekulli.

Ju dëshiroj shumë shëndet dhe suksese në punën tuaj,

Me respekt.