11:09 / E Martë, 13 Mars 2018 / indeksADMonline

Veseli fton për konsultë shefat e grupeve parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot seancën plenare, ku pritet debatimi për pikat e seancave të 8 dhe 9 shkurtit dhe asaj të 1 marsit.

Por gjatë diskutimit, deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën. Më pas kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u ka bërë thirrje të gjithë shefave të grupeve parlamentare që të mblidhen dhe të diskutojnë se çfarë do të bëhet më tutje, për të shkak të mungesës së kuorumimit, transmeton Indeksonline.

“Ftoj menjëherë kryetarët e grupeve parlamentare për një konsultë ku do të kemi një pauzë pastaj të shohim mundësinë e vazhdimit apo shtyrjes së seancës, takohemi pra me kryetarët në zyrën time”, ka thënë Veseli.

Sipas rendit të ditës  këto janë pikat për të cilat do të diskutohet sot në Kuvend:

Votimi i rekomandimeve të Interpelancës lidhur me Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.04/20 të datës 20.12.2017 për rritjen e pagave të anëtarëve të Kabinetit qeveritar, Vendimin nr. 05/24 i datës 12 janar 2018, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, si dhe Vendimi nr. 15/24 i datës 12 janar 2018 për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale,

Debat parlamentar, sipas kërkesës së nënkryetarit të Kuvendit, z. Kujtim Shala dhe gjashtë (6) deputetëve nënshkrues lidhur me Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Republikës të Kosovës,

Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Akreditimit

Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.