09:10 / E Shtunë, 19 Janar 2019 / indeksADMonline

Veseli, Haradinaj e Kosnett të martën diskutojnë për taksën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdojnë të mos e ndërrojnë qëndrimin rreth taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. Ambasada Amerikane në Prishtinë ëshë deklaruar se SHBA-ja në vazhdimësi ka apeluar tek udhëheqësia kosovare që ta largojë tarifën e vendosur para dy muajve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për të diskutuar rreth taksës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Burime brenda Kuvendit të Kosovës kanë bërë të ditur se takimi në fjalë është vendosur të mbahet të martën e javës që vjen (22 janar).

Në këtë takim, pos taksës, do të bisedohet edhe rreth zhvillimeve të tjera aktuale në Kosovë. “Do të flasin për zhvillimet e fundit, për koordinimin e përbashkët, bashkëpunimin gjatë komplet vitit dhe sigurisht brenda këtyre që i diskutojnë është edhe çështja e taksës”, kanë thënë burimet e “Zërit” teksa kanë konfirmuar se takimi është caktuar për të martën.