15:06 / E Martë, 05 Maj 2020 / indeksADMonline

Veseli kujton dy ushtarët amerikanë që u vranë gjatë bombardimeve në Kosovë

Me rastin e 21-vjetorit të rënies heroike të dy ushtarëve amerikanë gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka përkujtuar ata dhe i ka cilësuar si heronj, të cilëve kombi shqiptar do t’u jetë mirënjohës gjithmonë.

Përmes një postimi në “Facebook” Veseli tha se kombi shqiptar do të jetë përjetë mirënjohës për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë dhënë për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot kujtojmë dy pilotët amerikanë të rënë 21 vjet më parë, gjatë fushatës 78-ditore të bombardimeve që NATO-ja ndërmori për t’i ardhur në ndihmë popullit tonë. Pilotët David A. Gibbs dhe Kevin L. Reichert humbën jetën në mision pranë kufirit të Kosovës, duke rënë dëshmorë të aleancës atlantike në luftën për çlirimin e Kosovës. Kombi shqiptar përgjithmonë do të nderojë këta heronj dhe do të jetë përjetë mirënjohës për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë dhënë për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkroi kreu i PDK-së.

Veseli gjithashtu ka cekur se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë thelbësore për Kosovën.

“Marrëdhëniet e ngushta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thelbësore për interesat tona shtetërore. Miqësia e fortë është gjithashtu vullnet i qartë e i sinqertë i popullit tonë, që në shumë anketa ndërkombëtare, për vite me radhë, renditet si populli më proamerikan në botë”, ka shkruar Veseli.