11:18 / E Premte, 06 Korrik 2018 / indeksADMonline

Veseli paralajmëron deputetët: S’ka pushime pa i kry të gjitha ligjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka mbledhur sot në takime të ndara kryetarët e komisioneve parlamentare dhe anëtarët e Kryesisë për të kërkuar nga ta t’i kryejnë obligimet që kanë.

Burime të Indeksonline brenda takimit kanë thënë se kryeparlamentari Veseli i paralajmëroi deputetët se nuk do të mund të shkojnë në pushime e as në ndonjë udhëtim jashtë vendit pa i miratuar të gjitha projektligjet që ndodhen në procedura nëpër komisione parlamentare.

“Askush me zor nuk ju ka bërë deputetë. Të gjithë keni vrapuar për ta marrë besimin e qytetarëve. Prandaj duhet të jeni të përgjegjshëm dhe ti kryeni obligimet që keni. Ta dini që asnjë deputet nuk mund të shkoj në pushim pa u kry të gjitha projektligjet që janë në procesurë parlamentare. Prandaj ju kërkoj të intesifikoni punët dhe ti kryeni punët”, ka thënë Veseli në takim me krerët e komisioneve parlamentare. /Indeksonline/