12:44 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Veseli: Pas bisedimeve me Serbinë, synojmë një vend në OKB, jo cenim të territorit

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt fazës së fundit.

Në qershor pritet të nisin negociatat në nivelet më të larta ndërshtetërore, të cilat duhet të përfundojnë me marrëveshje të detyrueshme për të dyja palët. Për të folur mbi një ndër zhvillimet më të rëndësishme të vitit në Kosovë dhe rajon, ishte i ftuar në edicionin e lajmeve në Top Channel kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëkohësisht dhe kryetar i partisë PDK, pjesë e koalicionit qeveritar.

Veseli në këtë intervistë ka thënë se Kosova synon ulëse në organizatat e Kombeve të Bashkuara, në organizatat tjera ndërkombëtare.

Ai ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin tha se nuk do të lejojnë cenimin e sovranuitetit të shtetit.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në progres, po flas për liritë dhe të drejtat e komuniteteve, jemi I vetmi vend që u japim të drejta maksimale, në të përqindje shumë të vogël komunitetesh të cilat janë jo-shqiptare, jo vetëm komuniteti serb por përfshirë edhe atë, ne do të punojmë edhe më tutje. Nuk është çështje që na dekurajon kjo pjesë. Por ajo që është kryesore: Sovraniteti dhe integriteti territorial dhe institucional I shtetit tonë të pavarur dhe Sovran është I shenjtë. Në të njëjtën kohë kemi garancione nga partnerët tanë ndërkombëtarë se në procesin e finalizimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, nuk do të cenohen këto parime të cilat I kemi ngritur edhe bashkërisht”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se presin rekomandim pozitiv për vizat duke thënë se kushtet e vëna për liberalizim janë plotësuar.

“Ne e meritojmë rekomandimin pozitiv për arsye se të gjitha kushtet të cilat kanë qenë të vëna për Kosovën, janë plotësuar. Keni parasysh Kosova është i vetmi vend pothuajse në Europë qe 8 vite që është pa liberalizimin e vizave. Në të njëjtën kohë Kosova i ka plotësuar kushtet mbi 30% më tepër se sa secili vend tjetër, i cili e gëzon këtë të drejtë, liberalizimin e vizave. Unë, tani nga fillimi i qershorit, do të kem një tur të vizitave në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, duke filluar nga Brukseli. Përkatësisht në këto vende të cilat specifikisht kanë një rol apo mund të jenë pengesë në procesin e liberalizimit të vizave. Ne e meritojmë liberalizimin e vizave dhe në të njëjtën kohë unë e besoj shumë se skepticizmi I cili është brenda BE, nuk duhet as sesi ta ndëshkojë qytetarin e Kosovës, nuk duhet ta ndëshkojë Kosovën për arsye se në rrethanat në të cilat është aktualisht Kosova, kur ka bërë progres, i cili është për t’u shënuar kur ka plotësuar të gjitha kushtet, izolimi I qytetarëve i Kosovës si të vetmit qytetarë në Evropë, do të ishte një damkë, e cila më tepër do të ishte e dëmshme për vetë reputacionin e Bashkimit Evropian”,tha Veseli.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme për të cilën tha se kërkesa e tyre është legjitime, prej ditës së parë që kanë humbur.

Por ai nuk e ka konsideruar këtë kërkesë as serioze as të sinqertë.

“Nuk e konsideroj as të sinqertë dhe as serioze kërkesën e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, përkundrazi e shoh më tepër një frikë nga zgjedhjet e parakohshme dhe në të njëjtën kohë një konsumim për të pasur një agjendë, kur s’ka agjendë më të mençur./TCh/