18:55 / E Premte, 25 Maj 2018 / indeksADMonline

Veseli takon homologun shqiptar, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë-Shqipëri

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka vazhduar agjendën e tij të takimeve në Tiranë, me pritjen e organizuar në Kuvendin e Shqipërisë nga homologu i tij, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, të dy kryeparlamentarët diskutuan për zhvillimet e fundit në të dyja vendet, jetën parlamentare në Kosovë e Shqipëri, si dhe për shtrirjen e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe parlamenteve respektive.

Veseli e njohu kreun e Kuvendit të Shqipërisë me angazhimet e legjislativit kosovar për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese dhe sidomos përkushtimin për të çuar përpara agjendën evropiane të vendit.

Kryeparlamentari Ruçi ndërkaq, u shpreh i nderuar të pres në takim homologun e tij nga Kosova. Duke u shprehur i kënaqur me arritjet e Kosovës në shumë sfera.

Ruçi ritheksoi vullnetin e legjislativit shqiptar për të vënë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës gjithë përvojën parlamentare, sidomos në rrafshin e integrimit evropian.​/Indeksonline/