10:32 / E Martë, 12 Nëntor 2019

Vetura supersonike, arrin shpejtësinë prej 806 kilometrash në orë

Vetura supersonike e njohur si “Bloodhound” ka arritur që gjatë fazës testuese të lëvizë me 800 kilometra në orë, por inxhinierët pretendojnë të arrijnë shpejtësinë shumë më të madhe.

Gjatë testimit në Afrikën e Jugut, kjo veturë ka arritur shpejtësinë prej 806,3 kilometrash në orë. Kjo veturë e veçantë me motor supersonik të aeroplanit luftarak “EuroFighter Typhon” është drejtuar nga Andy Green, i cili që para 22 vjetëve kishte vënë rekord botëror, duke lëvizur me 1,228 kilometra në orë.

Asokohe ky rekord ishte arritur me veturën e njohur si “Trost SSC” që njëherit është shpallur si vetura e vetme në botë, që kishte kaluar shpejtësinë e zërit.

“Bloodhound”-i në dukje të parë i ngjanë një rakete për shkak të disenjit aerodinamik, kurse rrotat nuk i ka nga goma por nga alumini që mund të durojnë presionin prej 5 G.

Kjo veturë që tashti ka arritur të kapë shpejtësinë prej 800 kilometrash në orë, pas modifikimit dhe futjes së një motori raketor që pritet të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, do të mund të arrijë shpejtësinë prej 1,280 kilometrash në orë.

Por kjo duket se nuk po u mjafton inxhinierëve, që janë zotuar se me këtë “përbindësh” do të arrijnë shpejtësinë prej 1,609 kilometrash në orë.