21:46 / E Hënë, 11 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Visar Ymeri u lutet aktivistëve: Mos u përçani, mos i fyeni figurat e VV-së

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri u ka bërë thirrje aktivistëve të partisë së tij që të mos përçahen.

Ai para mediave ka kërkuar nga aktivistët që të mos përdorin gjuhë të rëndë dhe fyese ndaj figurave të Vetëvendosjes, raporton Indeksonline.

“Kryesia njëzëri e dënon dhe e quan të papranueshme gjuhën e përdorur karshi, veçanërisht figurave publike të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj fundjave në rrjetet sociale dhe kërkojmë nga të gjithë aktivistët dhe anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje që ta ndalin këtë mënyrë të të shkruarit dhe përdorimin e kësaj gjuhe në rrjetet sociale ndaj figurave publike të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.

Ndryshe, disa ditë më parë ishte publikuar në media një bisedë e një grupi ku bënin pjesë anëtarë të Vetëvendosje. Aty shihej që Aida Dërguti e kishte quajtur Albin Kurtin “m**”.

Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje nuk mori fare pjesë personazhi kryesor i skandalit, Aida Dërguti. Ajo kishte vendosur që përmes llogarisë së saj në Facebook të bënte të ditur dorëheqjen e saj nga Vetëvendosja./Indeksonline/