15:51 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

Vizita e delegacionit të BE-së në Kosovë, mesazh i fundit për demarkacionin dhe Specialen

Një delegacion me të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian  po qëndron në Kosovë që nga dje, duke takuar krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e partive politike. Kjo vizitë e tyre po shihet si mesazh për çështjet aktuale të shtetit e që janë Demarkacioni dhe Gjykata Speciale.

Njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova ka thënë për “Indeksonline” se demarkacionit i është afruar afati që t`i jepet epilogu. Andaj, është shprehur ai, delegacioni i BE-së ka ardhur për ta marrë një adresim, apo për ta dhënë këshillën/kërkesën e fundit se demarkacioni duhet të kalojë.

Ndërkaq, lidhur me shfuqizimin apo jo të ligjit për Gjykatën Speciale, Sallova ka deklaruar se delegacioni i BE-së ka bërë vizita në partitë opozitare që të sigurohen se nuk do votojnë pro kësaj.

“Padyshim iniciativa e fundit për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale e ka alarmuar edhe Bashkimin Evropian dhe unë besoj që ata  kanë ardhur në këtë nivel që të sigurohen që kjo nuk do të ndodhë. Ata i kanë takuar edhe liderët e partive opozitare, dje ishin tek Vetëvendosje sepse shpresa e tyre është që edhe nëse ky skenar do të tentohet të shkojë edhe në arbitrare nga Thaçi apo dikush tjetër, të paktën të sigurohen që deputetët e opozitës do të jenë unik dhe në Kuvend do ta pengojnë shfuqizimin e një ligji të tillë”, ka thënë ai.

Sallova ka komentuar letrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli në të cilën thuhet se “Gjykata Speciale është e dëmshme por nuk mund të zhbëhet”. Sipas Sallovës, Specialja nuk mund të shfuqizohet pikërisht për shkak të deputetëve të PDK-së, të cilëve u është dhënë urdhri nga lideri i tyre që kjo të mos ndodhë.

“Ne e kemi parë që edhe ky shkrimi që u bë para disa ditëve i Kadri Veselit edhe që e adresoi Gjykatën Speciale në njëfarë forme presioni ndërkombëtarë e ka  arritur efektin e vet që mos të shkohet në një skenar të tillë. Po shihet që është vetëm kryeministri Haradinaj ai që po e inicion këtë çështje, por ai nuk është në gjendje t`i japë rrugëzgjidhje demarkacionit, ia ka lënë Kuvendit në përgjegjësi, por nuk  ka as fuqi politike as për ta rrëzuar e as për ta çuar përpara. Edhe për Gjykatën Speciale ai mendon sikur është kompetent, por ai e di mirë se nuk e ka fuqinë ta rrëzojë atë sepse tek e fundit janë deputetët e PDK-së atyre që iu dha urdhri nga Veseli që kjo nuk duhet të ndodhë. Andaj edhe vizita e fundit është për të treguar se duhet t`i jepet fund kësaj afere politike”,  ka deklaruar Sallova.

Tentimin për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, analisti Nexhmedin Spahiu e ka parë si  veprim joserioz nga ana e Kosovës drejt vendeve të BE-së të cilat e ndihmuan atë gjatë procesit për shpalljen e shtetësisë.

“Është mëse e qartë se kjo vizitë vjen si shqetësim për shfuqizimin e Speciales. Ata janë duke bërë hulumtime në terren, me pa se sa serioz është shteti i Kosovës.  Po bëhen 10 vjet nga shpallja e Kosovës shtet dhe të gjithë ata që ndihmuan në këtë, kanë një shqetësim. Përpjekja për ta anuluar Specialen ka qenë një veprim shumë joserioz që ka sjellë në pikëpyetje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe që i ka dhënë një goditje të rëndë atyre që e kanë njohur shtetin e Kosovës.  Ata që kanë investuar në Kosovën janë të interesuar të shohin se a është kjo një lëvizje e çastit e  klasës politike, apo thjeshtë një budallaki politike”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Ndryshe, në Kosovë janë duke zhvilluar vizita i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin si dhe dy ambasadorët të Gjermanisë dhe Francës  Christian Heldt dhe Didier Chambert./Indeksonline/