19:57 / E Enjte, 07 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Votat e pesë liderëve nëpër komuna, ku dolën ata mirë e ku keq

Pas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, ju sjellim votat e pesë liderëve nëpër komuna, ku dolën ata mirë e ku keq.

Sipas këtyre të dhënave Albin Kurti e Kadri Veseli dolën mjaft keq në Deçan, Vjosa Osmani në Skenderaj, Ramush Haradinaj në Dragash ndërsa Fatmir Limaj në Obiliq. Shumica e liderëve morën vota të bollshme në Prishtinë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

Nga pesë liderët e subjekteve politike ashtu siç është e kuptueshme më së shumti vota ka fituar kandidati i partisë që doli e para në zgjedhje, Albin Kurti me 183,868 vota.

E dyta doli Vjosa Osmani me 176,188 vota. Pason Kadri Veseli me 146,763 vota. Ramush Haradinaj ka marrë 75,917 vota dhe Fatmir Limaj 26,014 vota.

Abin Kurti është votuar më së shumti në Prishtinë, Prizren e Gjilan ndërsa komunat me shumicë shqiptare ku ka marrë më së paku vota janë Juniku, Deçani dhe Hani i Elezit.

Vjosa Osmani ka marrë më së shumti vota në Prishtinë, Pejë dhe Podujevë ndërsa komunat me shumicë shqiptare ku ajo ka marrë më së paku vota janë Hani i Elezit, Juniku dhe Skenderaji.

Kadri Veseli më së shumti vota ka marrë në Prishtinë, Skenderaj e Drenas ndërsa komunat me shumicë shqiptare ku ai ka marrë më së paku vota janë Juniku, Deçani dhe Hani i Elezit.

Ramush Haradinaj më së shumti vota ka marrë në Gjakovë, Pejë e Deçan ndërsa komunat me shumicë shqiptare ku ai ka marrë më së paku vota janë Hani i Elezit, Dragashi dhe Shtimja.

Fatmir Limaj sipas të dhënave të nxjerra nga “Debat Plus” ka marrë më së shumti vota në Malishevë, Prizren, Prishtinë ndërsa komunat me shumicë shqiptare ku ai ka marrë më së paku vota janë Juniku, Obiliqi dhe Istogu.