10:41 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Vrasja e Ivanoviqit, kthehet në rivendosje çështja e caktimit të masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të masës se paraburgimit në rastin e tre të dyshuarve, të cilët do të mbesin në paraburgim edhe më tutje,  derisa gjykata e shkalles se parë të marr një vendim të ri.

Tre personat në fjalë dyshohet për vrasjen e ish-liderit serb, Oliver Ivanoviç në veri të Mitrovicës, transmeton Indeksonline.

Gjykata Themelore në Prishtinë me një aktvendim të datës 24.11.2018, ua ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurve N.S., M.R. dhe D.M., në kohëzgjatje prej një muaji.

Dy të parëve për shkak të dyshimit të bazuar së kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 lidhur me nenin 33 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa të pandehurit D.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433  i po të  këtij kodi.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkalles së parë nuk ka dhënë arsye të çarta lidhur me faktet vendimtare, përkitazi me dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar, ashtu siç kërkojnë dispozitat e nenit 187 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Andaj aktvendimi i shkalles se parë është dashtë të anulohet, ndërsa në rivendosje gjykata themelore duhet t’i kërkoj prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo, e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar, ndërsa gjykata pasi të vlerësoj dhe të paraqes konkludimet e saja për secilën, të marr vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të çarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore. /Indeksonline/