10:37 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Vrasja në Prekaz, arrestohet i dyshuari pas tetë viteve

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në lidhje me vrasjen e ndodhur në gusht të vitit 2010 në Prekaz të Skenderajt, ku kishte mbetur i vdekur një 33 vjeçar, transmeton Indeksonline.

Arrestimi i të dyshuarit pas tetë viteve është bërë i mundur nga autoritetet e Austrisë të cilat dje ekstraduan në Aeroportin e Prishtinës të dyshuarin në lidhje me këtë vepër.

“Lidhur me rastin me 03.05.2018 në ANP-Adem Jashari, nga Austria është ekstraduar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, nën dyshimin se në bashkëpunim ka kryer veprën e cekur. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, në konsultim me prokurorin i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe vrasja kishte ndodhur në oborrin e shtëpisë së viktimës në Prekaz me 3 gusht 2010. Policia nga ajo kohë kishte ndjekur këtë rast ndërsa tani i dyshuari do të dalë para organeve të drejtësisë./Indeksonline/