14:15 / E Diele, 03 Qershor 2018 / indeksADMonline

Vrasjet në Kosovë, këto janë statistikat për tri vitet e fundit!

Fillimi i vitit 2018 solli numër të madh të vrasjeve e vetëvrasjeve. Për vetëm 4 muaj të këtij viti, në Kosovë kanë ndodhur 10 vrasje, pa i përfshirë rastet e muajit maj, shkruan Indeksonline.

Kjo dukuri shqetësuese është duke vazhduar. Javën e kaluar në qytetin e Kamenicës, një baba mbyti djalin e tij duke e rrahur brutalisht, për shkak të pretendimit të vjedhjes së disa parave.

Ky rast konsiderohet rasti i parë i vrasjeve të rënda brenda familjes për këtë vit.

Indeksonline ka kontaktuar Policinë e Kosovës, për të parë si qëndron numri i vrasjeve këtë vit dhe viteve të kaluar.

Të njëjtët kanë treguar se në vitin 2017 ka pasur numër më të madh të vrasjeve, krahasuar me vitin 2016.

Ndërkaq, për vitin 2018 statistikat janë vetëm katër mujore.

“Gjatë vitit 2016 janë shënuar 26 raste te vrasjeve, gjate vitit 2017 janë shënuar 27 vrasje, kurse në periudhën janar-prill 2018 janë evidentuar 10 raste të vrasjeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në vitin 2017 për katër muaj patën ndodhur 13 vrasje, ndërkaq këtë vit për të njëjtën periudhë kanë ndodhur 10 të tilla./Indeksonline/