18:42 / E Shtunë, 20 Janar 2018 / indeksADMonline

Vuçiq: Dialogu, rruga më e mirë për ruajtjen e paqes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me banorët serbë në Llaple Selo, ka porositur ata të vazhdojnë të qëndrojnë në vatrat e tyre, duke thënë se dialogu me shqiptarët e Kosovës është rruga më e mirë për të ruajtur paqen.

Një minutë heshtjeje të pranishmit kanë mbajtur për nder të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, e cila ishte edhe arsyeja e ardhjes së kreut të shtetit serb në Kosovë, me leje të Qeverisë së Kosovës.

Vuçiq është shprehur i habitur me pritjen e madhe që i është bërë atij nga serbët, ku shumë prej tyre kanë mbetur jashtë, pasi salla në Shtëpinë e Kulturës ishte e vogël për t’i zënë të gjithë.

“Me bisedime dhe me dialog me shqiptarët do të ruajmë paqen, pasi kjo është mënyra më emirë. Nuk i frikësohemi askujt, por ka kaluar koha që qëllimet janë arritur në mënyra thjerra. Synimet do të arrihen me mençuri dhe duhet të jemi të fortë dhe të guximshëm, pasi interesi më i madh i Serbisë është që ju të qëndroni të jetoni në vatrat tuaja”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka porositur serbët për unitet, pasi kjo është e rëndësishme për të ardhmen.