20:07 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vuçiq: Do të gjejmë planin bazë dhe atë rezervë për taksen

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia po përgatit masa, por që sipas tij nuk do të jenë në kundërshtim të CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera. Sipas Vuçiq, Serbia është partner i besueshëm që nuk dëshiron të shkelë këto marrëveshje.

“Ne do të reagojmë në mënyrë racionale, paqësore”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se dëshiron që të ruhet paqja.

I pyetur për të komentuar faktin se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimin për taksën 100% në drejtim të produkteve serbe, Vuçiq, ka thënë se Bashkimi Evropian u desh të reagojë më herët, kur autoritetet e Prishtinës vendosën një taksë prej 10%, por jo tani, kur e prezantuan atë me 100%.

“Do të gjejmë planin bazë dhe atë rezervë”, ka shtuar Vuçiq, transmeton Indeksonline.

Ndryshe Qeveria e Kosovës në mënyrë unanime mori vendim sot për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës. /Indeksonline/